Lajme

Sulmi terrorist në Banjskë, Kryeziu: Qëllimi ka qenë të shpejtohet krijimi i Asociacionit

By GAZETA SCANNER 1

October 24, 2023

“Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator kishte objektiv politik ndërsa realizim ushtarak”.

Kështu vlerëson ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

Në emisionin “FIVE”, Kryeziu ka thënë se çdo veprim terrorist ka karakter politik dhe se qëllimi i këtij sulmi sipas tij ka qenë që të shpejtohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Objektivi ka qenë politik, realizimi ushtarak, çdo veprim terrorist ka karakter politik. Qëllimi i tyre ka qenë të shpejtohet krijimi i Asociacionit”, ka thënë Kryeziu.

Në anën tjetër edhe eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku ka thënë se në bazë të informacioneve tashmë rezulton konkludimi se ky sulm terrorist ka qenë një “plan i hartuar mirë, me grup të mirë, me terren të mirë”.

Siç thotë ai, çdo gjë ka qenë e mirëmenduar dhe në harmoni me një udhëheqje nga një strukturë e organizuar.

“Arsenali i armatimit të grupit terrorist ishin për 150 persona”, ka thënë Çollaku.

Ndryshe, një muaj pas këtij sulmi terrorist, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmin e ka kryer Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Atë ditë, grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku e duke plagosur një tjetër.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Në ditën e sulmit, u arrestuan disa sulmues të grupit terrorist, por shumica prej mbi 80 sish ikën nga vendi i ngjarjes.

Gjatë një muaji hetime e bastisje, institucionet e Kosovës konfiskuan sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.