Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc i cili rrezikoi seriozisht infrastrukturën kritike të Kosovës. Ndonëse tha se është ende herët të dihen rrethanat e plota, Hovenier tha se “përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari.”
Gjatë intervistës në emisionin “Context” në ATV, ambasadori Hovenier e quajti sulmin “të tmerrshëm”, ndërsa theksoi potencialin shkatërrues që ky sulm përbënte duke rrezikuar ndërprerjen e energjisë elektrike dhe ujit për një pjesë të qytetarëve të vendit.
“Dua të shfrytëzoj rastin për të përsëritur atë që thashë në mbrëmjen e ngjarjes dhe atë që e tha pastaj edhe qeveria e SHBA-së: ne e dënojmë plotësisht këtë sulm të tmerrshëm në infrastrukturën kritike në Kosovë që kishte potencialin të përmbyste ndjeshëm jetët dhe të dëmtonte njerëzit duke ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike për një përqindje të caktuar të qytetarëve, duke ndikuar në furnizimin me ujë të një përqindje të qytetarëve.” – tha ambasadori amerikan.