Sport

Suksesi i vashave të Kosovës, Ademi: Arritje e madhe për futbollin e femrave, dëshmon punën e mirë viteve të fundit

By GAZETA SCANNER 1

December 01, 2023

Futbollistet e Përfaqësueses së Kosovës janë inkuadruar në Ligën B të Ligës së Kombeve, pas fitores së madhe kundër Bullgarisë.

“Dardanet” triumfuan 5:1 kundër kundërshtareve bullgare, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Për suksesin e vashave të Kosovës, ka reaguar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi me një postim në Facebook.

Ademi ka përgëzuar futbollistet dhe trajneren e Kosovës për arritjen e madhe, duke shkruar se kjo është si rezultat i punës së mirë që është bërë viteve të fundit.

“Futbollistet e Kosovës patën një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme në kuadër të Grupit 5 në Ligën C, duke e mposhtur Bullgarinë në ndeshjen vendimtare për promovim në Ligën B, me rezultat 5:1, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Përgëzoj futbollistet dhe stafin në krye me përzgjedhësen Anneli Andersen për këtë sukses dhe për përkushtimin e madh gjatë ndeshjeve të kësaj gare”.

“Kjo është një arritje e madhe e futbollit të femrave dhe dëshmon punën e mirë që është bërë vitet e fundit”, ka shkruar Ademi në rrjetin social.