Botë

Suedia një hap më afër NATO-s, pas votimit të komisionit parlamentar turk

By GAZETA SCANNER 1

December 27, 2023

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit të Turqisë e aprovoi të martën anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke i hapur rrugën zgjerimit të aleancës ushtarake pas 19 muajve vonesash gjatë të cilave Ankaraja kërkonte nga Stokholmi garanci në lidhje me sigurinë.

Komisioni, i kontrolluar nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan, AK, votoi për ta ratifikuar anëtarësimin e Suedisë, për të cilin shteti skandinav aplikoi vitin e kaluar menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

Tani, hapi i radhës është votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit, ku partia e Erdoganit e gëzon shumicën, po ashtu. Votimi pritet të ndodhë brenda pak javësh dhe të bëhet në favor të anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake.

Erdogani pritet që ta pastaj ta nënshkruajë atë në ligj, duke e përmbyllur një proces i cili i ka zemëruar disa prej aleatëve të Ankarasë dhe i ka vënë në sprovë marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin.

Në një komunikatë për medie pas votimit, ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, tha se Suedia e mirëpret këtë vendim dhe se mezi pret t’i bashkohet NATO-s.

Boris Ruge, ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, tha se vendimi i komisionit për ta aprovuar anëtarësimin e Suedisë është “lajm i shkëlqyer”./REL/