Lajme

Subvencionet për bujqit në Luginë, Beqa: Në çdo kohë duhet t’u ndihmojmë, jo në fund të mandatit

By GAZETA SCANNER

December 25, 2024

Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës, ka mbajtur mbledhje, të cilën e ka zhvilluar elektronike, e ku janë marrë disa vendime.

Një nga këto vendime, ka qenë edhe ndarja e mbi 1 milion eurove si mbështetje për familjet shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, qё nё mënyrë aktive merren me bujqësi.

Në lidhje me këtë vendim të Qeverisë, për Gazetën Express, kanë folur dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa dhe Hisen Berisha.

Beqa në komentin e tij tha se strategjia për ndihma të tilla duhet të ekzistojë për gjatë gjithë mandatit, e një gjë të tillë qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk e ka bërë.

Tutje, deputeti i PDK-së, shfaqi mbështetje për çfarëdo lloj ndihme e shtyse që mund të jepet qytetarëve sidomos atyre të Luginës,, megjithatë, ai përkrahu idenë që këto lloj veprimesh duhet të bëhen përmes rregullimit me ligj.

‘‘Mendoj duhet ta ka një strategji gjatë gjithë mandatit. Fatkeqësisht nuk ka bërë asgjë për qytetarët që jetojnë në atë pjesë. Por në të njëjtën kohë të gjitha veprimet që merren siç ishte edhe rastet të tjera duhet të rregullohen edhe me ligj. Për shembull pse mos me marr vendim sistematik për më i ndihmuar ata në kohën kur u duhet ndihma. Tani në një far forme edhe mund t’i keqkuptohet veprimi sepse jemi në fushatë elektorale e aq më shumë tani jemi në dimër, megjithatë unë jam ithtarë që çdo kohë duhet tu ndihmojmë qytetarët, shqiptarëve në veçanti në Luginën e Preshves’’, tha ai.

Pos kësaj, Beqa u shpreh skeptik për veprimet e Kurtit, duke theksuar se ky i fundit këto veprimet si ky vendim, nuk i ka të sinqerta.

Për deputetin e PDK-së, shtesat duhet të jenë më të mëdha, dhe pensionet gjithashtu, gjëra të cilat duhet të bëhen në mënyrë sistematike e në fillim të mandatit e jo në fund.

‘‘Mendoj që Kurti veprimet nuk i ka të sinqerta. Unë jam për me iu ndihmu edhe pensionistëve, por pse mos e rregullu me ligj që kjo me ndodh në mënyrë sistematike, me pas pensionin 200 euro, me pas marr shtesa më të mëdha, e me qeverinë e re që po vjen me Bedri Hamzën, këto do të jenë në mënyrë sistematike jo për fushatë, të jenë në fillim të mandatit e jo në fund të mandatit, sepse është edhe më e ndershme që veprimet të bëhen pa fushatë, veprimet e tilla’’, përfundoi ai për Express.

Në anën tjetër, Berisha në përgjigjën e tij u shfaq kritik më i ashpër i këtij veprimi të qeverisë.

Ai, vendimin e Qeverisë e pa vetëm si pjesë të fushatës, tendencë për të kapur vota.

Më tej, deputeti i PDK-së deklaroi se, ky vendim i qeverisë Kurti, është një lojë e rrezikshme që s’guxon të luhet.

‘‘Thjesht dhe vetëm tendencë për të kapur votën e shqiptarëve të shpërngulur nga Kosova lindore, të cilët tani kanë marrë status ose jo brenda Kosovës e që ju duhen për përkrahje elektorale. Lugina e Presheves, apo Kosova lindore, bujqit e Kosovës lindore punojnë paguajnë taksë në shtetin ku ata takojnë fatkeqësisht. Dhe subvencionimi i bujqësisë është pa sens, sepse subvencionimi nuk bëhet me pare kesh në dorë, por sistemit të pagesave dhe të njëjtën logjikë administrative ligjore siç bëhet në Kosovë. Dhe në qoftë se Kosova po mujka me i dhanë 1 milion euro për bujqit e Kosovës lindore atëherë qenka pjesë e sistemeve të pagesave dhe transfereve financiare të Serbisë. Me përkthye në gjuhen ligjore dhe administrative. Prandaj kjo është thjeshtë lojë. është e njëjta lojë siç bëri më herët presidentja kur na e solli një letër amadament për të amandamentu ligjin e shtetësisë, ku kërkonte dhënien me procedura të shkurtuara dhe të lehtësuara të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë të Kosovës lindore. Në vitin 45 kur janë hjek çamët nga Çamëria deri në vitin 51 i ka mbajt Mbretëria e Bashkuara, në vitin 1951 partia komuniste greke ndërhyn të partia komuniste shqiptare që tu jep statusin e shtetësisë të gjithë çamëve dhe tek vitet 84 apo 86 e kanë kuptu që i kanë zhduk çamët. Dhënia e shtetësisë së shqiptarëve në Kosovë lindore është zhdukje e tyre.

Kjo është lojë më e paskrupullt në aspektin e ligjit dhe administratës që po provon më bë kjo qeveri. Dhe s’po len skenar pa bë qoftë kjo me listën, qoftë me aksionin në kanal, qoftë me të gjitha temat. Kjo është lojë e rrezikshme. Unë nuk e di pse Prokuroria Speciale nuk po provon me ndalë këtë njeri, se e ka kompetencën, se këtu po luhet me gjëra që nuk guxon të luhet. Nuk mund të subvencionohet bujqësia në komunat brenda territorit të Serbisë. Sepse sistemi i pagesave dhe trasfereve është me ligje të Serbisë. Serbia na ka neve pjesë të ligjit dhe sistemit të vetë shtetëror, por Kosova e ka shpallë pavarësinë e ka Kushtetutën dhe ligjet se si i bën këto subvencione brenda territorit të saj, dhe jo brenda territorit të huaj. Prandaj kjo është një lojë e rrezikshme dhe është një tregues së këta e shohin Kosovën projekt të përkohshëm dhe e shohin Kosovën ashtu siç e sheh Serbia, se janë të vetmet kategori, personalitesh politike Vuçiqi dhe Albin Kurti që se kanë njoft pavarësinë e Kosovës dhe që e kanë fy dhe e kanë nënçmua simbolet e shtetit të saj. E me këtë gjest kjo faktikisht po tregon se ky e sheh Kosovën në aspektin ligjor admninistrativ siç e sheh Vuçiqi atje në shtetin e vet’’, ka thënë Berisha.

Përndryshe, ky vendim i sotëm i Qeverisë s’është i vetmi që është kritikuar këto ditë, pasi që tre ditë më parë qeveria ndau 100 euro për pensionistët dhe fëmijët.

Ky vendim, sikur edhe i sotmi, u prit me kritika pasi që i njëjti u pa si një veprim elektoral, duke pasur parasysh që zgjedhjet janë me 9 shkurt.