Lajme

Strategjia për drejtësi tranzicionale, së shpejti në qeveri për miratim

By GAZETA SCANNER 1

January 14, 2024

Një dokument që do t’i dedikohet plotësisht drejtësisë tranzicionale pritet t’i shkojë për votim së shpejti kabinetit qeveritar.

Strategjia nacionale për drejtësinë tranzicionale, këtë muaj do ta marrë miratimin edhe të grupit punues, derisa për efektin e saj tregojnë personat që ishin pjesë e këtij grupi.

“Ka për qëllim me kriju një platformë që synon me realizu të drejtën e viktimave dhe shoqërisë, për të vërteten reparacionin, drejtësinë dhe garancinë për mospërseritje, kjo strategji që e ka efektin e një ombrelle synon që me e përfshi iniciativa, projekte e mekanizma të ndryshëm, të cilët kanë ndodh këto vitet dhe planifikohen të ndodhin”, ka deklaruar Kushtrim Koliqi – Pjesë e grupit punues për strategji.

Por, një strategji e tillë, e cila nuk është publike, sipas Nora Visoka Weller, avokate dhe ligjëruese e specializuar në trashëgimi të luftës, duhet të përfshihet edhe pozicioni i Serbisë, e cila ka kryer krime në Kosovë.

“Këto procese në përgjithësi kërkojnë dy palët. Pra nuk mundet Kosova vetë me shty përpara një proces të tillë sepse duhet të ketë përballë edhe ta themi në këtë rast palën serbe që është e interesuar me shty perpara procesin në drejtim të pajtimit të komuniteteve apo ne drejtim të arritjes së drejtësisë, shtrohet pyetja nëse Kosova dëshiron me u pajtu dhe si do ta detyrojë Serbin të pajtohet”, ka thënë Nora Visoka-Weller –Avokate dhe ligjëruese.

Derisa, hartimin e një strategjie të tillë e sheh si iniciativë të vonuar, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, shpreson që ajo pas miratimit të gjejë zbatim në praktikë. “Gjatë dy viteve të fundit janë krijuar mekanizma që janë në fushën e drejtësisë tranzicionale, strategjia ish dashtë me i parapri atyre dhe me parapare  koordinimin e këtyre institucioneve. Unë pres që strategjia të jetë gjithë përfshirëse dhe do të parasheh komunikimin apo koordinimin në mes të mekanizmave të ndryshëm të drejtësisë tranzicionale”, ka deklaruar Bekim Blakaj – Fondi për të Drejtën Humanitare.

Në anën tjerër, Nora Visoka-Weller, thotë se duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në veri të vendit, Serbia ende nuk është e gatshme për t’u ballafaquar me të kaluarën. “Kosova ka bërë hapin e parë dhe shumë hapa  të rëndësishëm,  ne akomodimin te them ashtu per komunitetin serb dhe te drejtat e tyre, në anën tjetër kemi parë që Serbia përveç që nuk i ka njohur këto krime të viteve 98-99, qe kane ndodhur ne koordinim me qeverine serbe, qe ata qeveritar, jane ende ne qeverine serbe. Përveç se nuk i ka pranuar, i ka mohuar dhe i mohon në vazhdimësi. Këtu qëndron problemi, sepse Serbia po e mban peng komunitetin serb në Kosovë, gatishmëria nga ana Serbe nuk ekziston”, ka thënë Nora Visoka Weller –Avokate dhe ligjëruese.

Ideja e hartimit të një strategjie të tillë, ishte nisur edhe në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi, por e njëjta nuk kishte marrë miratimin përfundimtar.