Më herët në mars, Steven Mnuchin, ish-sekretari i Thesarit i SHBA, tha se ai po ndërtonte një ekip investitorësh që mund të blinte TikTok brenda gjashtë muajve.
Ky afat kohor është për shkak të një projektligji dypartiak të Dhomës së Përfaqësuesve, të miratuar më 13 mars, që do të ndalonte TikTok-un nëse aplikacioni nuk i shitet një blerësi amerikan brenda 180 ditëve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndalimi buron nga shqetësimi i disa ligjvënësve amerikanë se qeveria e Kinës ushtron shumë kontroll mbi kompanitë dhe se ajo, nga ana tjetër, mund të kërkojë që subjektet si TikTok të mbledhin sasi masive të të dhënave personale ose të përdorin platformën për të ndikuar politikën jashtë vendit.
Deri më tani, disa njerëz të pasur dhe të fuqishëm janë rritur si blerës të mundshëm. Mnuchin është një prej tyre. Por planet e tij tashmë po përballen me shumë skepticizëm.
Së pari, TikTok – me mbi 170 milionë përdoruesit e tij aktivë në SHBA – është i shtrenjtë. Sipas një vlerësimi, aplikacioni vlen 100 miliardë dollarë, raportoi CNN.
Dhe Mnuchin sinjalizoi se ai mund të anashkalojë burokracinë e Kinës mbi eksportet e teknologjisë duke rindërtuar aplikacionin nga e para, raportoi The Washington Post.
“Aplikacioni duhet të rindërtohet në SHBA, duhet të jetë teknologji amerikane”, tha Mnuchin për CNBC.
Me fjalë të tjera, Mnuchin dëshiron të blejë TikTok pa përbërësin kryesor që e bën aplikacionin kaq të vlefshëm dhe problematik – algoritmin e tij.
Por disa janë shumë skeptikë ndaj këtij propozimi.
Matt Perault, një profesor në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe ish-drejtor i ekipit të politikave publike të Facebook, mendon se shumë kompani teknologjike aspirojnë të ndërtojnë një algoritëm si TikTok.
“Të gjitha kompanitë më të mëdha kanë hedhur shumë para dhe talent inxhinierik në këtë çështje dhe kanë luftuar për ta bërë atë. Nëse Steve Mnuchin mendon se mund ta bëjë këtë dhe të ketë sukses aty ku shumë kompani të suksesshme kanë pasur vështirësi, i uroj fat”.