Lajme

Steinbaum: Rruga kushtetuese është më e mira për krijimin e Asociacionit

By GAZETA SCANNER 1

October 14, 2024

Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në Uashington publikoi këto ditë një raport në të cilin thotë se kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, njëri prej autorëve të raportit, Jason Steinbaum, i cili në të kaluarën ishte këshilltar i kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës Eliot Engel, ka theksuar se procesi i Asociacionit, i cili është çështja kryesore që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është politizuar dhe se rruga kushtetuese, përmes të cilit komunat mund ta krijojnë vetë asociacionin, është rrugëdalje nga ngërçi.

“Mendoj se interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës përputhen në periudhën afatgjatë. Popujt tanë janë të afërt dhe vlerat e dy shteteve tona janë pothuajse të njëjta. Ka mosmarrëveshje ndërmjet qeverive dhe kjo nuk është çështje që e trajtojmë në raportin tonë. E di që ka disa mosmarrëveshje, të cilat janë ashpërsuar, por nuk janë temë e raportit tonë. Ne shohim një dalje, një rrugë, një proces kushtetues për të zgjidhur njërën prej çështjeve më të vështira për të cilën palët kanë mospajtime”, ka theksuar ai për Zërin e Amerikës.