Lajme

Statovci fajëson qeveritë e kaluara se “lejuan që serbët në veri të instrumentalizohen” nga Serbia

By GAZETA SCANNER

September 18, 2024

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci i ka çuar pretendimet në oktava edhe më të larta se pushteti të cilit i takon, duke fajësuar qeverisjet e kaluar se madje edhe “kanë lejuar që popullata në veri të instrumentalizohet” nga Serbia.

Madje, për të mos u mjaftuar me kaq, ajo tha se edhe policia e Kosovës dikur “është dashur të shkojë atje me autoblinda, kurse tash është normalizuar ajo pjesë”.

Problemet në veri ishin trashëgimi e qeverive të kaluara, sepse injoruan sovranitetin, toleruan banda, i patën të përfshirë në qeverisjen e tyre, lejuan instrumentalizimin e një popullate e cila po bënte cënim sigurie, asnjë qytetar i Kosovës s’ka mundur të bëjë udhëtim të lirë në veri, e besa edhe policia është dashur që të sjelljet me autoblinda, e sot jemi në rrethanë të normalizimit”, ka thënë ajo në “tv1”.