Lajme

SPERTK – Hotit: RTK nuk e krijon skemën programore sipas diktatit të politikës

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK) e konsideron të papranueshme ndërhyrjen e anëtarit të kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, në skemën programore të RTK-së. “Është e papranueshme dhe kundërligjore kur një anëtar kryesie tenton të diktojë përmes rrjetit Facebook, se çka duhet e çka jo të transmetojë mediumi publik”, thuhet në reagim.

Anëtari i Kryesisë së LDK, Hoti, mbrëmë kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook, duke e kritikuar Radiotelevizionin e Kosovës se në kohën e lajmeve ka transmetuar ndeshjen e dy ekipeve, që, sipas tij,”zor se gjenden në hartë”, ndeshje kjo e Kupës së Botës për Klube, po ashtu ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndarjen e 220 mijë eurove në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Hoti, që, pas reagimeve, e ka fshirë këtë postim nga llogaria e tij në Facebook, ka kërcënuar se më zgjedhjen e “bordit kompetent”, sipas tij, do të zgjedhet edhe drejtori i RTK, ndërkohë që RTK ka drejtorin gjenereal të zgjedhur në prill të këtij viti për mandat trevjeçar.

Pas këtij postimi të Hotit ka pasur reagime edhe nga drejtori gjenereal i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, si dhe nga ish-drejtori i Televizionit Lorik Arifaj.

Ndërkaq, sot edhe Sindikata e Punëtorëve e RTK-së(SPERTK) ka reguar ndaj tij duke i kërkuar që të mos ndërhyn në skemën programore”

“Ia rikujtojmë z.Hoti se RTK nuk e krijon skemën programore sipas diktateve të partive politike, por ashtu siç e vendos stafi profesional dhe bazuar në kërkesa të publikut nga i cili financohet RTK”, thuhet në reagim. 

Ndërkohë, SPERTK kërkon nga z. Hoti dhe partia e tij që pas krijimit të institucioneve të angazhohen sa më parë të miratojnë ligjin e ri të RTK-së dhe si partner qeverisës me Vetëvendosjen t’i sigurojnë edhe paratë për ndërtimin e objektit të ri të RTK-së, për shkak se kolegët tanë janë duke punuar ne hapësira të transformuara nga garazhet në studio televizive, ku pas çdo reshjeve vërshojnë dhe shpërthejnë edhe ujërat e zeza. 

SPERTK e konsideron të papranueshme dhe të dënueshme çdo ndërhyrje të cilësdo parti që mundohet ta diktojë punën e stafit të RTK-së dhe njëherësh e konsideron cenim të drejtpërdrejtë në pavarësinë editoriale të RTK. 

SPERTK ju bën me dije të gjitha partive politike dhe atyre fituese të zgjedhjeve se menjëherë pas krijimit të institucioneve, nëse nuk e miratojnë ligjin e ri, do të rifillojmë çdo ditë me protesta para Kuvendit të Kosovës.