Nexhmedin Spahiu ka deklaruar se zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa njohjen e Serbisë është “tradhti kombëtare”.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se nëse ndodh zbatimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, pa e marrë njohjen nga Serbia, është “tradhti kombëtare”.
Spahiu gjithashtu ka theksuar se nëse kjo ndodh nga ana e kryeministrit Albin Kurti, do të jetë edhe ai njësoj si liderët e mëparshëm të Kosovës.
“Me kompetenca të vogla apo të mëdha nuk është e mirë Zajdenica [Asociacioni], qoftë me kompetenca të vogla apo të mëdha. Sepse, ajo i kushton taksapaguesve të Kosovës. Edhe ata nuk po e bëjmë ne prej qejfit, po prej zorit. Tjetër çka është pranimi, tjetër është pranimi nëse fillon ta zbatojë Asociacionin pa e marrë njohjen, për mua është tradhti kombëtare, është njësojë siç kanë vepruar udhëheqësit e mëparshëm të Kosovës që i kanë dhënë sende veresi”, ka deklaruar Spahiu ne RTV Dukagjini.
Por, analisti politik, Visar Ymeri, ka theksuar se as udhëheqësit e mëparshëm nuk e kanë zbatuar Asociacionin.
Spahiu i ka replikuar duke thënë se ata kishin sjellë një situatë të keqe për Kosovën.
Spahiu ka shtuar se në planin franko-gjerman është paraparë që Asociacioni të jetë pjesë e njohjes dhe se është ende i bindur se kryeministri Kurti nuk do ta zbatojë Asociacionin pa njohjen nga Serbia.
Po ashtu, ai ka shtuar se nëse Asociacioni zbatohet pa njohjen nga Serbia, ajo do të paraqesë kërkesa të tjera për njohje, duke e cilësuar këtë si diçka negative për Kosovën.
“Nëse e bën Asociacionin edhe pret të të njohë Serbia, ajo do ta vendosë edhe një kërkesë tjetër për të të njohur, kjo është e keqja”, ka thënë Spahiu.
Ndër të tjera, Spahiu ka deklaruar se jo çdolloj Asociacioni vlen të pranohet nga Serbia.