Lajme

Spahiu: Kurti s’e jep Asociacionin pa e marrë në këmbim njohjen

By GAZETA SCANNER 1

November 08, 2023

Analisti politik dhe profesori, Nexmedin Spahiu, ka deklaruar se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk duhet të ndodhë pa njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Spahiu ka theksuar se Asociacioni duhet të kuptojë se është një mjet për të arritur njohjen dhe se deri sa flamuri i Kosovës nuk ngrihet në Beograd, sipas tij, krijimi i Asociacionit nuk ka kuptim.

Ai ka thënë se kjo është një përpjekje që përfshihet në planin franko-gjerman, dhe se ky plan duhet të zbatohet me vendosmëri ose të braktiset.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Kurti të mësojë nga gabimet e qeverive të mëparshme dhe të mos i përsërisë ato, duke theksuar se përsëritja e gabimit është më e madhe sesa gabimi paraprak.

“Asnjëra nuk duhet, as Asociacion as zgjedhje nuk duhet të kemi. Asociacioni duhet me kuptu që është çmim për njohje dhe deri në momentin kur të nuk ngritët flamuri i Kosovës në Beograd, nuk ka pse të krijohet Asociacioni. Ai është në planin franko-gjerman, dhe plani ose zbatohet ose nuk zbatohet. Kjo qeveri duhet të ketë mbledh mend nga qeveritë paraprake të mos i përsërisë gabimet e atyre sepse përsëritja e gabimit është më e madhe sesa gabimi paraprak”, ka deklaruar ai në Debat Plus.

Spahiu më tej ka përmendur ish-udhëheqësit e tjerë të Qeverisë së Kosovës, të cilët sipas tij, ata kanë thënë se janë mashtruar nga partnerët ndërkombëtarë, dhe që kanë pritur njohjen e Kosovës duke i ndjekur planet që u janë propozuar në dialog me Serbinë.

Ai ka shprehur besimin e tij se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, me përvojën e tij politike, nuk do të kryejë një tradhti kombëtare, duke krijuar Asociacionin pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Nëse Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Haradinaj mund të thonë se na kanë mashtruar, ju kemi besuar amerikanëve edhe falas e kemi zbatuar Planin e Ahtisarit, edhe kemi prit që me e marrë njohjen, në fund qenkemi tradhtuar. Kjo gjë nuk lejohet për Kurtin sepse e ka përvojën e tyre më përpara, edhe unë mendoj që ai nuk do ta bëj këtë tradhti kombëtare, se jep Asociacionin pa e marrë në këmbim njohjen. Njohje është kur ngritët flamuri i Kosovës në Beograd… Plani franko-gjerman e parasheh njohjen de-facto edhe de-juro, edhe evropianët e kanë thënë këtë”, ka deklaruar Spahiu.