Armando Osmani, apo Liam Mandiaro siç e njohin të gjithë është zyrtarisht banori më jetëshkurtër në historinë e Big Brother VIP Albania. Por, ndryshe nga të tjerët që kanë dalë pasi janë eliminuar sipas rregullave të lojës, Liami doli pa biletë kthimi, për tu dërguar drejt e në qelinë e burgut.
Sot, u njoftua nga Policia e Tiranës se ai rezulton i dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Mashtrimi”, pasi në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.
Por kush është Liami?
Pjesëmarrja në Big Brother 5 e bëri Liamin një personazh të njohur dhe pavarësisht se nuk arriti dot që të bëhej fitues i 100 milionë lekëve përballë Arbër Zekës, ai rrëmbeu zemrat e publikut.
Dalja nga shtëpia e bëri të njohur në tregun e jetës së natës, me emrin “DJ LIAM MANDIARO”, por jo për shumë gjatë.
Banori i BB5 vazhdoi lidhjen me gjermanen Evelin Pollok, me të cilën shkëmbeu unazë në natën e finales së spektaklit “Big Brother”, ku ajo i bëri një surprizë ndërsa hyri në shtëpi me makinë, e veshur me fustan nusërie.
Për shumë kohë u zhduk nga publiku pasi ishte zhvendosur me partneren e tij në Gjermani. Moderatori Ledion Liço teksa e prezantoi një natë më parë tregoi se Liami i ishte dedikuar fushës së mjekësise, pavarësisht se në profilet e tij në rrjetet sociale, nuk e gjejmë të postuar askund me bluzën e bardhë, Vazhdimisht ai postonte video e foto me përmbajtje humori, por nuk jepte të dhëna mbi jetën e tij personale.
Megjithatë, siç duket, jo gjithçka ka shkuar vaj dhe Liami paska ‘shkelur në dërrasë të kalbur’, gjë për të cilën do të përballet me drejtësinë.