Kulturë

Sonte finalja e Eurovizionit: Shqipëria këndon e dhjeta, ja si votohet

By GAZETA SCANNER 1

May 13, 2023

Sonte me fillim në ora 21 mbahet finalja e madhe e Festivalit Evropian të Këngës “Eurovizioni”. Shqipëria do të këndojë e dhjeta me radhë. Kjo është mënyra e votimit nga Kosova.

Në këtë finale do të këndojnë gjithsej 26 shtete, 20 prej të cilave garuan në gjysmëfinalen e parë të martën, dhe gjysmëfinalen e dytë të enjten, pesëshja e madhe (Gjermania, Franca , Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar), si dhe fituesi i vitit të kaluar Ukraina.

Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga Albina dhe familja “Kelmendi” të cilët vijnë nga Kosova, me këngën “Duje”.

Albina do të ngjitet në skenë edhe sonte me babanë, nënën, dy motrat dhe vëllain. Pjesëmarrja e gjithë familjes në festival nga fansat evropianë është konsideruar si diçka unike dhe ka ngjallur reagime pozitive.

Votimi nga Kosova dhe shtetet tjera jo pjesëmarrëse bëhet përmes platformës online www.esc.vote. Ndërkaq shtetet të cilat marrin pjesë në festival, mund të votojnë edhe përmes mesazheve.

Votimi do të hapet pas interpretimit të këngës së fundit dhe do të jetë i hapur për rreth 40 minuta.