Lajme

Sondazhi i UBO-s: VV, PDK dhe LDK ruajnë pozitat e tyre, AAK-NISMA me rritjen më të madhe

By GAZETA SCANNER 1

June 25, 2024

Sipas matjeve të fundit të opinionit publik nga kompania “UBO Consulting”, partitë politike në Kosovë kanë ruajtur pozitat e tyre krahasuar me matjet paraprake. Sipas anketës, partia në pushtet vazhdon të mbajë një epërsi të konsiderueshme ndaj opozitës. Partia Demokratike ka ruajtur epërsinë e lehtë ndaj Lidhjes Demokratike sipas matjeve, me dy partitë që kanë përjetuar luhatje margjinale në krahasim me sondazhet e mëparshme. Nga ana tjetër, ka befasuar koalicioni AAK-NISMA, duke shënuar rritjen më të konsiderueshme.

Në sondazhin me pyetjen se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të dielë, të siguruar nga Reporteri.net, Vetëvendosje ka vazhduar të ruaj votën me 49.6 për qind.

Krahasuar me matjet paraprake gjatë vitit 2024, VV-ja ka shënuar një rritje të lehtë prej 0.1 pikë përqindjeje.

Partia Demokratike renditet pas partisë në pushtet me 17 për qind.

Krahasuar me tre muaj më parë, partia më e madhe opozitare ka rënë me 0.1 pikë përqindje.

Në vendin e tretë renditet Lidhja Demokratike, ku 15.5 për qind e të anketuarve janë shprehur se do të votonin për këtë parti.

Krahasuar me sondazhet e mëparshme, kjo parti ka rënë me rreth 1.5 pikë përqindjeje.

Koalicioni AAK-NISMA ka grumbulluar 8.6 për qind, duke shënuar një rritje prej 1.7 pikë përqindjeje krahasuar me matjet e marsit.

Lista GUXO gjithashtu se ka shënuar një rritje të lehtë nga 0.6 në mars në 0.7 për qind në qrshor, bazuar matjet e “UBO Consulting”.

Partia Social Demokrate nga ana tjetër ka grumbulluar vetëm 0.4 për qind të mbështetjes.

Sipas sondazhit, Lista Serbe më vetëm 3 për qind të mbështetjes, rezulton se ka shënuar rënie krahasuar me matjet e muajit mars.

Sondazhi, i kryer në fillim të qershorit me 1065 të anketuar, mbart një marzh gabimi prej plus ose minus tre për qind.