Lajme

Sllovakia votoi pro heqjes së vizave për Kosovën, sqaron qëndrimin për pavarësi

By GAZETA SCANNER 1

March 09, 2023

Fakti që Këshilli i BE-së për Drejtësi dhe Punë të Brendshme miratoi të enjten në Bruksel udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova, nuk bie ndesh me faktin se pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kështu deklaroi, pas përfundimit të debateve ministrore, ministri i Brendshëm i Republikës së Sllovakisë, i emëruar përkohësisht, Roman Mikulec.

Rregullat e reja, tashmë të dakorduara nga shtetet anëtare me Parlamentin Evropian, me rekomandimin e Komisionit Evropian, do t’u lejojnë shtetasve të Kosovës të udhëtojnë në vendet anëtare të BE-së pa vizë për një qëndrim prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore, raporton agjencia sllovake e lajmeve TASR.

Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga dita që Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) do të vihet në veprim ose nga 1 janari 2024 – cilado që të vijë e para.

“Do të jetë liberalizimi i vizave për Kosovën, njëlloj si për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me faktin se do të mund të jepen viza për qytetarët e Kosovës për 90 ditë. Sigurisht që do të shihet se si kjo do të zbatohet në praktikë. Gjithashtu bazuar në faktin se Kosova i premtoi BE-së ndihmë në luftën kundër kontrabandistëve, kundër migrimit në rrugën e Ballkanit Perëndimor”, shpjegoi Mikulec, transmeton Klankosova.tv.

Ai saktësoi se është përpjekje e Komisionit Evropian që të sigurojë unitetin e BE-së në zbatimin e masave individuale në mënyrë që ajo të jetë e suksesshme edhe në politikën e kthimit.

“Këtë e promovon edhe Sllovakia prej kohësh, se pa kthime funksionale dhe ripranime, politika evropiane e migracionit nuk do të funksionojë”, theksoi ministri.

Në fund të intervistës, Mikulec ka theksuar se miratimi i regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës për një periudhë 90-ditore nuk ka të bëjë me faktin se pesë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Sllovakinë, nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Kjo është më tepër një çështje e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por nuk ka të bëjë asgjë me faktin se ne nuk e kemi njohur legjitimitetin e Kosovës. Ne përkrahëm liberalizimin e vizave”, e përshkroi Mikulec qëndrimin e Sllovakisë.