Lajme

Skandali i Speciales: Avokati i Veselit kërkon bisedat mes prokurorisë dhe njerëzve të shërbimeve serbe

By GAZETA SCANNER 1

November 26, 2022

Një dëshmitar ka dhënë deklarata të rrejshme në Gjykatën Speciale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke pretenduar se ata ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve për të cilat janë gjykuar dhe dënuar krerët e veteranëve të luftës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më pas, ky person, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, ka tërhequr deklaratat e tij, duke pohuar se ishte nxitur nga një person tjetër që të gënjente.

Dëshmitari që kishte dhënë deklarata të rrejshme, si dhe personi që e kishte nxitur për t’i dhënë ato deklarata, del se kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb.

Ky është zbulimi shokues që ka bërë ekipi mbrojtës i Kadri Veselit, në një parashtresë të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Personi që kishte nxitur këtë dëshmitar të trillonte, të cilin mbrojtja e quan “informator”, sipas shkresës, kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorin e Specializuar.

“Në tetor 2022, një dëshmitar u paraqit për të pretenduar se z. Veseli dhe z. Thaçi ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që ishin në qendër të rastit Gucati dhe Haradinaj pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës”

E në lidhje me këtë çështje, mbrojtja e Kadri Veselit në Hagë, e përfaqësuar nga avokati, Ben Emmerson, ka parashtruar disa kërkesa tek gjyqtari në lidhje me rastin në fjalë.

Emmerson ka kërkuar të zbulimin e secilit dëshmitar që ka dalë nga personi që dyshohet se ka lidhje me shërbimin sekret serb.

Po ashtu, Emmerson ka kërkuar edhe “screenshots” të bisedave të këtyre personave të përfshirë, me ish-kryeprokurorin Jack Smith.

Lajmi.net ua sjell të përmbledhura kërkesat e avokatit të Veselit pas zbulimit të skandalit:

Rishqyrtimin e çdo vendimi të zbatueshëm për masat mbrojtëse që autorizojnë zbulimin e të dhënave të redaktuara ose të përmbledhura, në mënyrë që Mbrojtjes t’i sigurohen të dhënat e plota, të paredaktuara të të gjitha kontakteve që Prokuroria ka pasur me [REDAKTUAR], duke përfshirë çdo thirrje, mesazh ose shkëmbimet ndërmjet [REDAKTUAR] dhe Jack Smith;

Nëse Prokuroria pohon se këto të fundit nuk janë në zotërim të saj dhe nuk mund të merren, Mbrojtja kërkon:

Një përshkrim të detajuar të të gjitha hapave të ndërmarra për marrjen e këtyre materialeve; dhe

Urdhër nga gjyqtari i procedurës paraprake për përgatitjen e materialeve;

Zbulimi i secilit dëshmitar që ka dalë nga [REDAKTUAR], pavarësisht nëse [REDAKTUAR] ka bërë kontaktin fillestar, ka sugjeruar që Prokuroria të kontaktojë individin, ose Prokuroria përndryshe kishte arsye të besonte se [REDAKTUAR] ishte përfshirë në dëshmitarin që pranoi të fliste me Prokurorinë;

Zbulimi i çdo informacioni të mëtejshëm në posedim të Prokurorisë që sugjeron se [REDAKTUAR] ka një marrëdhënie me inteligjencën serbe, [REDAKTUAR], ose ndonjë agjenci tjetër të inteligjencës;

Sqarimi i statusit të [REDAKTUAR] përballë Prokurorisë, duke përfshirë nëse ai konsiderohet si ndërmjetës; nëse ai ka ka lidhur ndonjë marrëveshje me Prokurorinë; dhe nëse ai ka ka marrë ndonjë përfitim nga Prokuroria, monetar ose ndryshe;

Rishqyrtimi i çdo vendimi të zbatueshëm për masat mbrojtëse që autorizojnë zbulimin e të dhënave të redaktuara ose të përmbledhura, në mënyrë që Mbrojtjes t’i sigurohen të dhënat e plota, të paredaktuara të të gjitha kontakteve me [REDAKTUAR], duke përfshirë, por pa u kufizuar në, kontaktet në fillim në intervistën e tij [REDAKTUAR];

Materialet që [REDAKTUAR] pretendon se i posedon përfshirë:

Shënimet që ai solli në intervistën e tij [REDAKTUAR], si dhe çdo shënim tjetër që posedon nga komunikimet me [REDAKTUAR], ose inteligjencën serbe, të cilat kanë të bëjnë ndaj të akuzuarit apo këtij rasti;

Regjistrimet e bisedës së tij me [REDAKTUAR];

Kontrata e tij me [REDAKTUAR];

Pamjet e ekranit(screenshots) dërguar atij nga [REDAKTUAR] e kontakteve të [REDAKTUAR] me Jack Smith, nëse ato nuk mund të merren nëpërmjet [REDAKTUAR).

Nëse Prokuroria mendon se këto të fundit nuk janë në zotërim të saj dhe nuk mund të merren, Mbrojtja kërkon:

Një përshkrim të detajuar të të gjitha hapave të ndërmarra për marrjen e këtyre materialeve; dhe

Urdhër nga gjyqtari i procedurës paraprake për përgatitjen e materialeve;

Zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm në posedim të Prokurorisë që sugjeron se [REDAKTUAR] ka një marrëdhënie me inteligjencën serbe, [REDAKTUAR], ose ndonjë agjenci tjetër të inteligjencës;

Zbulimi i çdo informacioni në posedim të Prokurorisë, përveç deklaratës së parë të [REDAKTUAR] që sugjeron se z. Veseli ose z. Thaçi ishin të përfshirë në rrjedhjen e dokumenteve të Prokurorisë nga OVL e UÇK-së, dhe datën në të cilën ato dokumente erdhën në posedim të saj;

Për sa i përket ndërmjetësve të Prokurorisë në përgjithësi:

Sqarimi i procedurave, protokolleve dhe rregullimeve kontraktuale që rregullojnë përdorimin e ndërmjetësve nga ZPS-ja;

Lista e të gjithë ndërmjetësve të Prokurorisë që janë përdorur në këtë rast, duke iu referuar dëshmitarëve, prezantimet e të cilëve ata kanë ndihmuar ose në lidhje me të cilët ata kanë ndihmuar ndryshe;

Konstatim se Prokuroria ka shkelur detyrimet e saj për zbulimin e Rregullës 103 në lidhje me zbulimin e vonuar dhe jo të plotë të deklaratës së dytë të [REDAKTUAR]. /Lajmi.net/