Sport

S’ka qetësi për Rashicën

Ylli kosovar është lënduar përsëri dhe mund të mbetet jashtë fushës së blertë deri në fund të janarit. Spekulohet se ai mund ta ketë zhvilluar ndeshjen e fundit me Werderin pasi muajin e ardhshëm mund të largohet prej aty

Milot Rashica nuk po e gjen assesi qetësinë.

Yllin kosovar nuk po e lënë rehat lëndimet e njëpasnjëshme këtë vit.

24 vjeçari së fundmi e pësoi një lëndim në kofshën e majtë.

Dhe, pas kontrolleve që ia bëri stafi mjekësor i klubit, Werder Bremeni raporton se Rashica nuk do të jetë i gatshëm të zbresë në fushën e blertë deri në fund të janarit.

Trajneri i ekipit, Florian Kohfeldt ka mbetur mjaft i dëshpëruar pasi së fundmi Miloti veçse ishte duke e rikthyer formën ideale fizike pas lëndimit paraprak.

Mediat e huaja shkruajnë se Rashica mund ta ketë luajtur ndeshjen e fundit me Werderin, pasi spekulohet se mund të largohet prej aty në afatin kalimtar të janarit.

Interesim për ish-futbollistin e Vushtrrisë dhe të Vitesses kanë shfaqur Bayer Leverkuseni e Leipzigu në Gjermani dhe Aston Villa në Angli.

Sidoqoftë, mediat gjermane raportojnë se nuk përjashtohet mundësia që vushtrriasi të mbetet në ekipin Gjelbër e Bardhë deri në verën e ardhshme.

Rashica nuk mundi ta ndihmonte sa duhet as Kosovën në ndeshjet post-pandemike shkaku i lëndimeve dhe koronavirusit.