Mosmarrëveshjet mes kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama duket se janë sheshuar së fundmi. Kjo u pa më së mirë gjatë pjesëmarrjes së dy liderëve në Forumin Strategjik të Bledit, ku Kurti dhe Rama u panë krah njëri tjetrit në në darkën e punës të shtruar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi deklaroi në një intervistë për Euronews Albania se midis dy liderëve nuk ka hatërmbetje dhe mosmarrëveshjet momentale janë kaluar tashmë.
Minxhozi tha se kryemninistri Kurti do të jetë në samitin që pritet të mbahet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Midis Kurtit dhe Ramës nuk ka hatërmbetje, por janë disa gjëra momentale që janë kapërcyer shumë mirë midis dy liderve. Pjesëmarrja në një Samit të përbashkët tregon se mes tyre gjërat janë kaluar. Prej kohësh ne e dimë se kush do merrte pjesë në Samit. Edhe në samitin që pritet të mbahet në Tiranë më 16 tetor, prapësëprapë Kurti do të vi aty për të shkëmbyer mendime”, tha Minxhozi.
Gjithashtu ai tregoi dhe disa nga përpjekjet që janë bërë për të bërë të mundur që ky takim të zhvillohet më herët.
“Ne jemi përpjekur që ky takim të realizohet, kaq nuk mund të them më shumë. Por ju e keni parë se ky takim nuk është mundur të realizohet më parë. Kjo pastaj nuk do të thotë se nuk ka pas më vazhdimësi takimesh apo shkëmbime mesazh. Pjesëtarë të kabinetit shqiptar kanë qenë në Kosovë dhe ministra të Kosovës kanë qenë në Shqipëri gjatë kësaj kohe. Mund t’iu përmend takimin e ministrave të Brendshëm në Morinë”, tha Minxhozi.