Lajme

Sinjalizuesja e skandalit të faljes së borxheve të ambalazhuesve të ujit, shpërblehet me çmimin për “Guxim Qytetar”

By GAZETA SCANNER

December 10, 2024

Lëvizja FOL në kuadër të Javës Kundër Korrupsion ka ndarë të hënën “Çmimin për Guxim Qytetar”. Këtë çmim e ka fituar një sinjalizuese, Makirete Dibrani, e cila sinjalizoi skandalin e faljes së borxheve të ambalazhuesve të ujit.

Mexhide Demolli Nimani,  drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, është arsye e veçantë për t’u mbledhur dhe për të festuar guximin dhe integritetin.

Ajo u shpreh se këtë vit, ky çmim shkon për një sinjalizuese, Makirete Dibrani e cila sipas saj, tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke ngritur zërin kundër abuzimeve serioze në institucionin e saj dhe raportoi keqpërdorimet serioze brenda këtij institucioni, të cilat sipas saj, lidhen me vendimet mbi faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit duke mbrojtur interesin publik dhe duke luftuar kundër keqpërdorimeve financiare.

Gjithashtu u shpreh se pavarësisht presioneve, ajo qëndroi e palëkundur, dhe sot, ne e nderojmë atë me mirënjohjen më të lartë.

“Guximi i znj. Dibrani na kujton se ndryshimi fillon me një akt të vetëm. Prandaj, të frymëzohemi nga veprimi i saj dhe të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri ku integriteti triumfon mbi çdo pengesë dhe drejtësia bëhet realitet për të gjithë”, tha Demolli-Nimani.

Çmimin këtë vit e ndau ish-presidentja, Atifete Jahjaga, e cila në fjalën e saj vlerësoi angazhimin dhe guximin e Dibranit si sinjalizuese dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në luftën kundër parregullsive dhe korrupsionit.

Ndërkaq, fituesja e Çmimit për Guxim Qytetar, Makfirete Dibrani tha se ky rrugëtim kërkoi shumë sakrifica.

“Sot qëndroj këtu sepse besova se e vërteta dhe drejtësia duhet të dilnin në pa, pavarësisht sfidave dhe pengesave të shumta. Kur u përballa me shpërdorimin e dhjetëra miliona euro nga ata që kishin për detyrë të mbronin interesin publik nuk mund të rrija në heshtje”, u shpreh ajo.