Lajme

Sindikata e KEK paralajmëron se do të mbajë grevë, këto janë arsyet

By GAZETA SCANNER 1

November 13, 2024

 

Sindikata e Re e KEK-ut njofton opinionin publik, punëtorët e KEK-ut, menaxhmentin dhe institucionet përkatëse se, pas një shqyrtimi të hollësishëm të kërkesave të punëtorëve dhe në përputhje me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm, është marrë vendimi për të zhvilluar një grevë që do të fillojë më 20.11.2024, transmeton Scanner.

Sindikate ka renditur disa arsye të grevës, e një ndēr to është rritja e pagave.

Njoftimi i plotë:

Arsyet e Grevës:

Kjo grevë është e bazuar në nevojën për të realizuar kërkesat e drejta të punëtorëve të KEK-ut për:

Rritjen e pagave në përputhje me koston e jetesës dhe tregun e punës në Kosovë. Pagesën e shtesës për rrezikshmëri për të gjithë ata që përballen me kushte të rrezikshme pune.

Pagesën për punën gjatë fundjavave për punëtorët që punojnë me ndërrime, siç parashikohet nga legjislacioni.

Gatishmëria për Negociata:

Sindikata e Re e KEK-ut shpreh gatishmërinë për të negociuar në çdo moment deri më datë 19.11.2024, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje që plotëson kërkesat e punëtorëve dhe shmang nevojën për grevë. Nëse arrihet një marrëveshje e drejtë dhe e qëndrueshme, greva do të ndalet në çdo fazë, edhe nëse kjo marrëveshje arrihet në ditën e fundit.

Plani i Grevës: Greva do të zhvillohet në mënyrë të organizuar dhe me veprime të kontrolluara për të mos rrezikuar sigurinë e punonjësve dhe infrastrukturës. Plani i plotë i grevës është parashtruar dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore të parapara për grevat në sektorin energjetik.

Ftojmë menaxhmentin dhe institucionet përkatëse të tregojnë vullnet për dialog, për të adresuar në mënyrë të drejtë dhe efektive kërkesat tona. Shpresojmë që bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të mbizotërojë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për vetë KEK-un.

Sindikata e Re e KEK-ut Kryetar: Nexhat Llumnica

https://www.facebook.com/share/p/19PVPpbsCi/