Lajme

Sikleti i Vetëvendosjes: Me video propagandistike mohojnë aferën e rezervave shtetërore

By GAZETA SCANNER 1

August 28, 2023

Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë një video që lavdëron punën e Qeverisë Kurti dhe synon t’i vë në hije skandalet e saj.

Në këtë video, e cila u shpërnda në rrjete sociale, synon të mohojë aferën me rezerva shtetërore dhe atë të ambasadorit Martin Berishaj, duke i quajtur “ide imagjinare” të opozitës, shkruan Insajderi.

“Hodhën në ajër ide imagjinare për afera gruri, afera vaji, afera Martini, afera këso e aso, dhe kur panë që asgjë s’po ngjet. Dolën me audioincizime të militantëve të tyre për të provuar baltosjen e njerëzve tanë në institucione. Asnjë provë a dëshmi, por vetëm shpifje ndaj qeverisë që nuk po ua lag fytin si qeverisjet e kaluara”, thuhet ndër të tjera në videon e Vetëvendosjes.

Përkundër tendencave për mohim, deri më tani janë të arrestuar dy zyrtarë të MINT-it dhe Ridvan Muharremi, miku i kryeministrit Albin Kurti.

Ky i fundit dyshohet të jetë ftuar si “kumbar” i ndërmjetësimit të MINT-it me kompaninë polake dhe turke.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë.

Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.

Për tre të dyshuarit, tashmë Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit.