Kult

Si u bënë Ramazani “Zan” dhe Nikoleta “Leta”: Politika e shtetit komunist për ndryshimin e emrave, lista e lejuar dhe e ndaluar

Një nga politikat e regjimit komunist ishte ajo për ndërrimin e emrave. Për shkak të modaliteteve ajo do të intensifikohet pas viteve 60-të. Kështu, në vitin 1963 në gazetën “Mësuesi” nisi trajtimi i kësaj teme dhe fitoi prioritet përdorimi i emrave ilirë.

Në shtypin e kohës u fol për luftën që i duhej bërë përdorimit të emrave të huaj dhe pas 6 shkurtit 1967 veçanërisht atyre me ngjyrim fetarë. Në një material të kohës thuhej “Nisur nga gjith politika e ndjekur nga partia, një e keqe që i mbante gjallë fetë ishte përdorimi i trashëguar i emrave me origjinë fetare”.

Për t`i ardhur në ndihmë evitimit të përdorimit të këtyre emrave, zyrave të Gjendjeve Civile, iu shpërnda një listë me 1000 emra që rekomandohej tu vendoseshin të porsalindurve. Më pas kjo listë u zgjerua dhe mori trajtën e një fjalori me 5000 emra, e cila u botua në organin “Vatra e kulturës”.

Në Fletoren Zyrtare në nëntor 1975 u botua një dekret, ku urdhërohej që të gjithë qytetarët, emrat e të cilëve, nuk përputheshin me normat politike, ideologjike dhe morale të shtetit, duhet t`i ndërronin ato brenda vitit 1976. E gjitha kjo politikë synonte çrrënjosjen e emrave të fesë Islame, Ortodokse dhe Katolike.

Për të finalizuar këtë objektiv, në vitin 1977 pranë Akademisë së Shkencave u ngrit një grup pune.

Sipas relacionit që ky grup përgatiti më 1 korrik 1977, deri në këtë periudhë emrat e njerëzve ishin mpleksur me çështje të ndryshme të karakterit ideologjik, politik, etik, kulturor e psikologjik. Prandaj, ato përbënin një problem shoqëror, i cili kërkonte një vëmendje të veçantë.

Kjo e bënte të domosdoshme ndërhyrjen e shoqërisë (shtetit), për të bërë ndryshime në fondin e këtyre emrave.

Por në vend që të mereshin si bazë kritere objektive, sipas anëtarëve të këtij grupi, theksohej se, për ta përmirësuar përbërjen e tij dhe për t`i dhënë një fytyrë sa më kombëtare ajo duhej bërë në përputhje “me bazën dhe superstrukturën tonë socialiste”. Për rrjedhojë, që pas vitit 1944 do të vendosen emra të çuditshëm, si: “Proletar”, “Republika”, “Marenglen”, “Partizan” etj.

Në relacionin e hartuar theksohej me të drejtë se ashtu si te çdo popull tjetër, edhe tek shqiptarët, fondi i emrave të njerëzve ishte formuar shtresa shtresa që nga kohët e lashta deri në ditët e sotme. Këto shtresa, natyrisht, që ruanin tiparet e kohës dhe rrugën nëpërmjet së cilës populli shqiptar kishte kaluar.

Deri në këtë periudhë fondi i emrave të njerëzve që përdornin shqiptarët ndahej në dy grupe të mëdha: grupi i emrave me burim vendas, shqiptar e ilir, dhe grupi i emrave me burim të huaj (fetar e laik).

Grupi i parë, që përfshinte emra vendas, ishte më i vogël si numër njësish në krahasim me të dytin, por kishte një denduri më të madhe përdorimi tek të lindurit pas vitit 1944, sidomos në qytet.

Emrat me burim nga leksiku i përgjithshëm i shqipes dhe pjesërisht nga toponimia shqiptare (emrat e vendeve), në një farë mase ishin përdorur gjatë gjith kohërave. Por ata kishin marë një përhapje më të madhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare e sidomos pas vitit 1912, për shkaqe kryesisht politike, si kundërveprim i emrave me origjinë të huaj.

Sipas grupit të punës, vargu i këtyre emrave nga pikëpamja gjuhësore ishte i hapur dhe mund të shtohej vazhdimisht, duke përdorur si emra njerëzish fjalë të leksikut të përgjithshëm të shqipes: nga sfera e bimësisë, si: “Lule”, “Manushaqe”, “Trëndelinë”, “Trëndafil”, “Rrap”, “Selvi” etj; nga sfera e botës së kafshëve, si: “Luan”, “Petrit”, “Shqipe”, “Skifter”, “Dren”, “Drenush” etj; nga sfera e emrave abstraktë, si: “Kujtim”, “Gëzim”, “Gazmend”, “Çlirim”, “Shkëlqim” etj; si dhe nga disa sfera të tjera, si: “Yll”, “Hënë”, “Agim”, “Dritë”, “Zanë” etj.

Emrat me preardhje ilire në përgjithësi ishin të pakët. Por edhe nga këta emra jo të gjith ishin të përshtatshëm për t`iu vendosur fëmijëve të kohës sonë. Një problem tjetër ishte fakti se, grupi i emrave ilirë përbënte një fond të vogël dhe pothuajse të mbyllur. Ai mund të zgjerohej në të ardhmen me shtimin e kërkimeve arkeologjike, historike e gjuhësore. Por ky zgjerim nuk pritej të ishte shumë i madh.

Grupi i dytë, që përfshinte emra me origjinë të huaj, ishin kryesisht me preardhje greke, latine, italiane, turke, arabe, sllave, hebraike, franceze, spanjolle, gjermane, angleze, ruse, serbe, maqedone etj. Fondi i këtyre emrave ishte rezultat i kontakteve shekullore të shqiptarëve me popujt e tjerë, nëpërmjet pushtimeve dhe marrëdhënieve social-ekonomike që ishin vendosur me ta.

Por edhe për shkak të modës për të vendosur emra të huaj, i cili është një tipar i pranishëm në shoqërinë tonë. Në periudhën e komunizmit kjo ndryshonte në varësi të marrëdhënieve diplomatike që kemi patur me jugosllavët, rusët dhe kinezët.

Sipas relacionit, emrat me origjinë të huaj, nuk kishin përbërje homogjene dhe vlerë të barabartë. Një pjesë të tyre e përbënte fondi i emrave me karakter ndërkombëtar dhe që përdoreshin rëndom nga të gjith popujt e botës. Kjo ishte pjesa më e vogël. Pjesën tjetër, shumicën, e përbënin emrat e huazuar nga popuj të ndryshëm.

Një karakteristikë e këtyre emrave ishte se ata e kishin ndryshuar formën e tyre fillestare, duke iu përshtatur ligjeve dhe normave fonetike të gjuhës shqipe; ose kishin pësuar ndryshime të tjera për arsye afektive, duke u formuar kështu trajta përkëdhelie, zvogëlimi etj.

Sipas grupit të punës, ky dallim ishte i nevojshëm, sepse ashtu si dhe në fushën e leksikut në përgjithësi, qëndrimi i tyre ndaj këtyre dy pjesëve të fondit të emrave me origjinë të huaj, nuk mund të ishte i njëjtë.

Megjith ndryshimet që kishin pësuar emrat me origjinë të huaj pas vitit 1944, sidomos përsa i përket përdorimit, përsëri si numër njësishë ata ishin më të shumtë.

Por ajo që ishte më shqetësuese për institucionet shkencore dhe politike të shtetit komunist, ishte fakti se, në të dyja grupet e emrave -vendas dhe të huaj- ishin mbledhur shtresa shtresa një tog emrash që ishin të papërshtatshëm për kohën dhe ideologjinë komuniste.

Këto duheshin nxjerrë nga përdorimi. Kjo është edhe pika më delikate, sepse, me këtë synohej “spastrimi” i të gjith atyre emrave tradicionalë që mbanin vulën e dikurshme të besimeve fetare e të bestytnive; emra personalitetesh historikë të huaj, të cilët nga këndvështrimi i regjimit komunist kishin luajtur rol negativ; emra të tjerë të huaj që për nga tingëllimi ishin tipik për popujt e tjerë; emrat shqip, por që shprehnin nocione negative ose që nga kuptimi nuk ishin të përshtatshëm për tu përdorur si emra njerëzish; emra që gabimisht ishin konsideruar si ilirë; emra që ishin formuar me elementë të shqipes, por jo në përputhje me natyrën e saj etj.

Në relacion nënvizohej gjithashtu se me punën e Partisë, organizatave të masave dhe organeve të pushtetit popullor, tek punonjësit nga dita në ditë ishin formësuar shije të reja, duke parapëlqyer emrat vendas e me kuptim pozitiv. Por anashkalohej fakti se ishin pikërisht këto mekanizma ideologjik, që në shoqërinë shqiptare injektuan kulturën e vendosjes së emrave komunist, ose me preardhje të shteteve me të cilat regjimi kishte marrëdhënie të mira.

Pavarësisht aspektit pozitiv që kishte kjo fushatë, shqetësues mbetej qëllimi që ajo synonte të arrinte “për t`i dhënë fondit të emrave të njerëzve një pamje kombëtare shqiptare dhe në përputhje të plotë me ideologjinë, politikën dhe etikën e rendit tonë socialist”. Sipas kësaj logjike, i bie që sa herë shteti shqiptar të ndryshonte ideologjinë, politikën dhe rendin socialist, të ndryshonte edhe emrat e njerëzve.

Në fakt, ky precedent zyrtar ishte tepër i rrezikshëm. Kjo vihet re dhe nga dy objektivat e relacionit: a) të pastrohej fondi i emrave të derisotshëm në radhë të parë nga emrat që janë politikisht e ideologjikisht të papërshtatshëm dhe b) të hidhej në përdorim një numër sa më i madh emrash me burim vendas që ishin “të përshtatshëm për epokën tonë dhe të nxitet me rrugë të ndryshme përhapja e tyre në qytete e fshatra”.

Në këtë drejtim ishte bërë edhe njëfarë pune. Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë kishte hartuar një listë me emra të papërshtatshëm dhe kishte kërkuar ndryshimin e tyre nga Drejtoria e Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Për t`i dhënë një zgjidhje sa më të studiuar këtij problemi, grupi i punës sugjeronte që krahas punës agjitative dhe bindëse që duhej zhvilluar me masat, ishte e nevojshme, që si hap i parë, të hartohej një “Fjalor i emrave të njerëzve”.

Ky fjalor do të shërbente si një “listë e lejuar”, për emrat e të gjith fëmijëve që do të lindnin tani e tutje, por edhe për ata individë që mbanin emra të papërshtatshëm. Për hartimin e këtij fjalori duhej një punë e koordinuar e disa institucioneve shkencore, ku sigurisht që barrën kryesore do ta mbante Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave. Megjithatë indoktrinimi gjatë gjith procesit zinte vend të parë.

Sipas relaconit, për hartimin e fjalorit, dilte në radhë të parë, nevoja e përpunimit të parimeve e të kritereve të shëndosha ideopolitike e shkencore. Këto parime e kritere, theksohej nga grupi i punës, ishin të domosdoshme jo vetëm për vetë përmbajtjen e fjalorit, por edhe si bazë orientuese, tek e cila do të mbështetej plotësimi, pasurimi dhe ripërtëritja e emrave të njerëzve në të ardhmen. Kjo ishte pika, ku i gjith ky proces megjithëse përmendej kriteri “kombëtar” pësonte një deformim total.

Grupi i punës propozonte që si parime të përgjithshme duhet të ishin:

1)Trajtimi teorik i këtij problemi dhe analiza e materialit konkret faktik të mbështetet e udhëhiqet tërësisht nga ideologjia e politika marksiste-leniniste e Partisë sonë, nga mësimet e Partisë e të shokut Enver për ruajtjen e traditave kombëtare e për zhvillimin e trashëgimisë kulturore të popullit tonë në kushtet e reja të shoqërisë sonë socialiste me ekonomi e kulturë të përparuar.

2)Duke u nisur nga synime të qarta politike e kombëtare, emrat me burim vendas të zënë vendin kryesor në Fjalor. Ndër ta, shumicën dërrmuese do ta përbëjnë emrat që burojnë nga leksiku i gjallë i gjuhës shqipe, ndërsa emrat historikë-ilirë e pas ilirë-do të jenë në një numër të kufizuar.

3)Në emrat me burim vendas të lihet mundësia për të pasur grupe emrash sa më të hapura e sa me më shumë njësi, me qëllim që ata të mos përsëriten te shumë njerëz.

4)Fjalori, duke qenë një udhëzues praktik i shëndoshë, duhet tu tregojë masave punonjëse rrugën e drejtë për të zbuluar e për të krijuar edhe emra të rinj, të panjohur deri sot, të cilët do të jenë të përshtatshëm dhe nuk do të bien në kundërshtim me parimet e kriteret e këtij fjalori. Nga plotësimet e kërkimet e mëtejshme Fjalori do të zgjerohet e ribotohet, herë pas here, i plotësuar e i përmirësuar.

Duke u nisur nga këto parime të ideologjizuara tej mase dhe nga një analizë paraprake e materialit, që grupi i punës kishte mbledhur deri në këtë moment, ata propozonin që hartimi i këtij Fjalori të bëhej sipas këtyre kritereve:

Të gjurmohej e të mblidhej i gjith fondi i emrave të njerëzve me burim vendas, ku përfshiheshin: Emra të formuar nga fjalë të formuara nga fondi i përgjithshëm i gjuhës shqipe dhe që kishin një domethënie pozitive, sidomos: emra bimësh si “Bajame”, “Lule”, “Rrap” etj; emra shpendësh si: “Dallëndyshe”, “Laureshë”, “Petrit”, “Skifter” etj; emra abstraktë si: “Bashkim”, “Besë”, “Gëzim” etj; mbiemra cilësorë që shprehnin një veti të mirë si: “Bardhi”, “Blerina”, “Bujar” etj; emra të formuar nga emrat e grupeve të mësipërme me anë prapashtesash të ndryshme ose nga bashkimi i dy fjalëve si: “Bardhosh”, “Dritan”, “Fatbardh” etj.

Emra të formuar nga emra vendesh, malesh, lumenjsh, ashtu edhe nga mikrotoponime që kishin tingëllim të bukur në gjuhën shqipe si: “Tomor”, “Sharr”, “Sazan”, “Valbonë” etj.

Emra historikë që dilnin nga dokumentet mesjetare ose që ishin përdorur tradicionalisht nga populli shqiptar si: “Gjin”, “Gjon”, “Lekë”, “Norë”, “Prend” etj.

Emra ilirë që kishin dalë gjatë zbulimeve arkeologjike në truallin e banuar nga populli shqiptar si: “Agron”, “Altin”, “Anila”, “Bardhyl” etj.

Sipas relacionit, ishte e nevojshme që të seleksionoheshin emrat me origjinë të huaj. Nga këta mund të mbaheshin ata që pavarësisht se kishin hyrë nëpërmjet feve të ndryshme, ishin bërë mjaft popullorë, duke ndryshuar trajtën fonetike sipas gjuhës shqipe si: “Alush”, “Bim”, “Can”, “Hilë”, “Lec”, “Nush” etj.

Në këtë grup do të përfshiheshin edhe emra që i përkisnin personaliteteve të njohur të historisë e politikës si: “Avni”, “Enver”, “Naim”, “Qemal”, “Sami”. Po ashtu lejoheshin edhe emrat e figurave të njohura historike ndërkombëtare, por që kishin fituar “të drejtën e qytetarisë” nga marksizëm-leninizmi dhe historiografia komuniste.

Në Fjalorin e emrave nuk do të përfshiheshin emrat me origjinë të huaj ose me burim vendas, që ishin të papërshtatshëm për ideologjinë, politikën dhe etikën e rendit socialist.

Këtu bënin pjesë: emrat e formuar prej fjalësh të papërshtatshme për tu përdorur si emra njerëzish ose që shprehnin koncepte e bestytni të së kaluarës; emrat e formuar nga emrat e vendeve me origjinë të huaj dhe që kishin përdorim të kufizuar; emrat e huaj me domethënie të qartë fetare ose që tingëllonin krejt të huaj për gjuhën tonë si: “Athina”, “Bajram”, “Benedikt”, “Harallamb”, “Kristo”, “Kristaq”, “Marie”, “Natali”, “Mihallaq”, “Muhamed”, “Murat”, “Mahmut”, “Nikofor”, “Nikoleta”, “Paskal”, “Paskalinë”, “Pashkë”, “Pavli”, “Pavlina”, “Paulina”, “Petraq”, “Polikseni”, “Qeramudin”, “Ramazan”, “Stefanaq”, “Shyret”, “Sherafedin” etj; emrat e huaj modernë, të cilët ishin futur nga ndikimi i koncepteve dhe shijeve të huaja për ne si: “Denis”, “Domenik”, “Elvis”, “Franc”, “Francesk”, “Grisha”, “Igli”, “Ivan”, “Luis”, “Marcela”, “Mirej”, “Orieta”, “Xhankarlo”, “Xhon”, “Xhilda”, “Zhan”, “Zhilbert” etj.

Në fondin e emrave të ndaluar sipas këtij propozimi duheshin përfshirë edhe emrat e qyteteve dhe kryeqyteteve të huaja; emrat e personaliteteve politike dhe shoqërore të botës etj.

Në Fjalorin e emrave duhej vendosur edhe një tregues për burimin e emrave që përfshiheshin, në mënyrë që prindërit të dinin se çfarë përfaqësonte emri që ata i kishin vendosur fëmijës së tyre.

Ky grup pune ishte i vetëdijëshëm se Fjalori në fjalë do të haste vështirësi të ndryshme për tu zbatuar. Prandaj ai propozonte që fillimisht të botohej në formë maketi e në numër të kufizuar, për t`iu nënshtruar paraprakisht një diskutimi më të gjerë.

Kjo do të ndihmonte që ai të spastrohej nga emrat e papreferuar apo të pasurohej më tej me ata që preferoheshin më shumë.  Për grupin e punës, nuk kishte asnjë dyshim se eleminimi i emrave të huaj dhe të atyre që konsideroheshin si të papërshtatshëm do të bëhej shkallë shkallë, me forcimin e koncepteve e shijeve të shëndosha të masave punonjëse.

Në fazën e parë ky Fjalor do t`i jepte një goditje emrave me origjinë të huaj, duke i spastruar dhe zëvendësuar ata me emra që buronin nga gjuha shqipe.

Për t`ia arritur këtij qëllimi propozoheshin dy rrugë:

1.Emrat që përfshinte Fjalori, që do të ishin jo mëp pak se 4000, të ishin të detyrueshëm dhe jashtë tij të mos lejohej që fëmijëve tu vendoseshin emra të tjerë;

2.Emrat e Fjalorit të jepeshin vetëm si rekomandime.

Sipas tyre të dyja rrugët kërkonin punë sqaruese dhe bindëse. Por rruga e parë kishte rrjedhime më të shpejta. Në bazë të kapaciteteve që dispononte Akademia e Shkencave, “Fjalori i emrave të njerëzve” mund të hartohej brenda vitit 1978, por për të realizuar këtë objektiv nevojitej të mereshin këto masa organizative:

3.Puna për hartimin e Fjalorit të drejtohej nga Akademia e Shkencave, duke patur si mbështetje kartotekat e Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe materialet e përgatitura prej tij deri sot; në këtë punë të kontribojnë me zgjidhjen e detyrave të veçanta të planifikuara këto institucione: Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë, Instituti i Historisë, Instituti i Folklorit, Qendra Arkeologjike, Drejtoria e Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, si dhe Lidhja e Shkrimtarëve;

4.Deri në dhjetor të këtij viti nga zyrat e gjendjeve civile të të gjitha rretheve të Republikës të jenë nxjerrë listat e plota të emrave e njerëzve të rrethit përkatës me dendurinë e përdorimit.

5.Të krijohet pranë Institutit të Gjuhës kartoteka e emrave të njerëzve si bazë e domosdoshme për hartimin e Fjalorit dhe për studime të mëtejshme;

6.Seksionet e arsimit e të kulturës, me udhëzime të posaçme nga Ministria e Arsimit, të ngarkohen për të aktivizuar gjerësisht arsimtarët, që të mbledhin emrat pak të njohur a të panjohur; të hetojnë kuptimin e tyre e mënyrat si janë formuar;

7.Pas botimit të Fjalorit të bëhet një punë propaganduese e sqaruese e organizuar mirë me anë të shtypit, të radios e të televizionit dhe me anë të organizatave të masave, me qëllim që të njihet e të përhapet fondi shqiptar i emrave të njerëzve dhe të formohen bindje e shije të shëndosha te masat për këtë problem të rëndësishëm kombëtar;

8.Menjëherë pas botimit të Fjalorit të organizohet, përveç të tjerave, edhe një seminar sqarues, ku të marrin pjesë nënpunësit e gjendjes civile të rretheve, përfaqësues të Komiteteve Ekzekutive, Organizatave të Frontit, të Gruas, të Rinisë e të Bashkimeve Profesionale, përfaqësues të shtëpive të lindjes, përfaqësues të arsimit dhe të shtëpive e vatrave të kulturës, si edhe përfaqësues të shtypit e të radios nga qendra e nga rrethet.

Në bazë të këtyre propozimeve, më 15 dhjetor 1977 Këshilli i Ministrave ngarkoi Akademinë e Shkencave, Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të bashkërendonin punën midis tyre dhe të hartonin “Fjalorin e emrave të njerëzve” brenda vitit 1978. Për organizimin dhe ndjekjen e punës pranë Akademisë së Shkencave, u vendos të ngrihej një grup pune:

Ky komision duhej të koordinonte të gjith punën dhe në muajin nëntor 1978 duhej t`i paraqiste Fjalorin Këshillit të Ministrave për miratim.

Në  këtë kuadër, më 23 dhjetor 1977, edhe ministria e Arsimit Tefta Cami të gjitha seksioneve të arsimit e të kulturës në rrethe u shpërndau një qarkore, e cila i ngarkonte ato me detyrat për të gjurmuar dhe mbledhur emrat pak të njohur dhe të panjohur me burim vendas, duke hetuar kuptimin e tyre; çdo shkollë të hartonte programe të posaçme, duke ngarkuar veçanërisht mësuesit e gjuhë-letërsisë dhe historisë për të mbledhur emra shqiptarë.

Në këtë aksion, duhet të mernin pjesë punonjësit e muzeve, shtëpive dhe vatrave të kulturës; të organizoheshin simpoziume, sesione shkencore, studime mbi toponimet etj., në bazë fshati, zone e në shkallë rrethi. Ky aksion duhej të përfundonte jo më vonë se muaji maj 1978 dhe lista e grumbulluar t`i dërgohej Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës.

Për realizimin e kësaj detyre, ministria urdhëroi që në çdo seksion arsimi të ngrihej një grup i posaçëm, ku të mernin pjesë përfaqësues të seksionit të arsimit, arsimtarë veteranë, punonjës të muzeve etj.

Në përfundim të kësaj pune u arrit që të botohej një “Fjalor i emrave të njerëzve”. Ndërsa Gjendjeve Civile iu dha urdhër që të refuzonin vendosjen e emrave të “vjetër”, me të cilën nënkuptoheshin emrat me origjinë fetare. Kjo krijoi një situatë tepër të vështirë për besimtarët e feve të ndryshme dhe për disa prindër, që sipas traditës, u vendosnin fëmijëve emrat e baballarëve./ABC News/