Lajme

Si të kurseni mbi 350 kilovatë/orë në muaj me një investim të thjeshtë

By GAZETA SCANNER 1

December 20, 2022

Idriz Ferati, inxhinier i gjeneratës së mesme në pozitën e drejtorit të Auditimit në KEDS, ka hobi profesional gjetjen e metodave efikase të kursimit të energjisë elektrike.

Ai është vazhdimisht në hulumtime inxhinierike për të gjetur alternativat më të favorshme. Së fundmi, Idrizi ka gjetur një alternativë që konsumatorëve ua ul shpenzimet për 40 për qind.

“Vendosa panele solare në shtëpinë time për ngrohjen e ujit sanitar. Këtë investim e bëra në muajin maj dhe brenda këtyre gjashtë muajve arrita të ul shpenzimin tim mujor për 40 për qind”, thotë ai.

Madje, gjatë verës ky investim nënkupton ulje edhe më të madhe, pasi përfitimet janë më të mëdha për shkak të kohës më të madhe me diell.

“Gjatë muajve maj, qershor dhe korrik nuk kam bërë fare shpenzime për ngrohje të ujit pasi më ka mjaftuar energjia diellore, ku temperatura arrinte në mbi 80 gradë celsius”, thotë Idrizi.

Në bazë të matjeve që ka bërë ai, kjo metodë sjell kursimin mesatar të mbi 350 kWh në muaj për secilin konsumator përmes investimit në panele solare për ngrohjen e ujit.

“Sipas kalkulimeve financiare që kam bërë unë, ky investim nxjerret brenda 3 vjetësh,

Pra, të gjithë ju që keni mundësi, ju rekomandoj ta bëni këtë, investoni sepse ia vlen”, thotë Idrizi, i cili në vazhdimësi aplikon risi në shpenzimet vetanake, duke arritur optimumin e shpenzimit në bazë të tarifave ditë/natë, gjithmonë në favorin e kësaj të fundit, kur janë përgjysmë më të ulëta.

Përderisa ky investim është shumë më efikas gjatë muajve të ngrohtë, përfitimet e mëdha që vijnë nga ky investim, bëjnë që ta përmendim si shembull të shkëlqyer të kursimit të energjisë.