Lajme

Si ndodhi plagosja e qytetarit në Zonën Ushtarake të FSK-së?

By GAZETA SCANNER 1

May 26, 2024

Hyrja është e ndaluar.

Kjo pasi në këtë zonë të fshatit Babaj i Bokës në Gjakovë janë vendosur poligonet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por të shtunën në këtë zonë ndodhi një incident.

Duke mbledhur gëzhojat e mjeteve shpërthyese, F.L u plagos rëndë.

Për pasojë burrit iu amputua shuplaka e dorës nga mjeti shpërthyes dhe i njëjti pësoi lëndime edhe në ekstremitetet e poshtme.

E për gjetjen e tij në zonën ushtarake ndihmoi Mehmet Meta, banor i këtij fshati.

Meta shprehet i rrezikuar që ndodhet në këtë zonë.

Megjithatë nga FSK thonë se po punohet për vendosjen e rrethojave.

“Në Babaj i Bokës ne kemi disa poligone ushtarake ku kryhen ushtrimet e FSK-së, atje është duke u punuar si në rrugë për qasje, ndërtim i urave, rregullim i poligoneve të ndryshme të ushtrimeve , ne do të punojmë edhe ne rrethoja që njerëzit mos të kenë qasje , por hapësira është shumë e madhe kërkon kohë dhe buxhet. Poligonet kanë emërtimet zonë ushtarake që nënkupton se është e ndaluar. Ndërsa për vendin e saktë se ku është lënduar ne cilin vend saktësisht nuk kemi informacion”, shprehet Vëllazrim Qerimi, zëdhënës i FSK-së.

Ndërsa me ndihmën e Metës, Policia e ekipi mjekësor intervenuan menjëherë.

“Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit dhe viktima është dërguar me emergjencë për trajtim mjekësor. Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet nga Policia.

E nga spitali “Isa Grezda” në Gjakovë, për trajtim të mëtutjeshëm, i plagosuri u dërgua në QKUK.

Sipas banorëve të fshatit Babaj i Bokës, gjatë vikendeve kur FSK nuk ka aktivitete në këtë zonë, qytetarët vijnë dhe mbledhin gëzhoja të mjeteve shpërthyese për t’i shitur. /Tëvë1/