BotëLajmeShëndeti

Si është jeta në qytezat italiane të izoluara për shkak të koronavirusit?

Prej ditësh tashmë, dhjetra komuna në Itali janë izoluar dhe qarkullimi i trenave është ndërprerë, si masa për mospërhapjen e koronavirusit.

Casalpusterlengo është një qytet i vogël në Lombardi me 15.000 banorë. Askush nuk lejohet më të hyjë apo të dalë nga kjo qytezë. Me këtë mënyrë synohet të kufizohet përhapja e mëtejshme e koronavirusit.

Në dyqanet e vogla nuk lejohen më të hyjnë brenda më shumë se katër klientë njëherësh. Ndërsa farmacia është bërë destinacioni më i rëndësishëm në qytezën e kthyer në fantazmë. Këtu u konstatuan rastet e para me virusin korona dhe papritur banorët u përballën me njoftimin: arrest shtëpie, pra karantinë. Njerëzve iu desh kësisoj të përshtaten me këtë situatë të jashtëzakonshme.

“S’kemi çfarë të bëjmë. Tani jemi ambientuar me gjendjen e jashtëzakonshme dhe vetëm shpresojmë që së shpejti supermarketet të jenë sërish plot me mallra. Ky është shqetësimi ynë i vetëm, ndryshe nuk kemi probleme”, -thotë një banor.

Shumica e infeksioneve deri më tani janë njoftuar në veri të Italisë. Ndaj qeveria ndërmori masa të forta – qytete të tëra u rrethuan, duke u shpallur zona të rrezikut. Këto janë zona të ndaluara, ku zhvillohen kontrolle të rrepta.

Massimo, një banor nga qyteza fqinje thotë se ka ardhur të marrë të birin dhe nuk është i sigurt nëse do ta lejojnë. Djali i tij 15-vjeçar kishte ardhur ta kalonte fundjavën te gjyshi në Casalpusterlengo. Tani që kjo është shpallur zonë e izoluar, ai dëshiron të kthehet në shtëpi, por policia nuk e lejon të atin të kalojë.

Shumë njerëz në Itali pyesin se përse janë prekur pikërisht ata? Edhe sipërmarrësi Fabio Longo. Ekspertët thonë se është rastësi, mund të ishte prekur po ashtu edhe çdo vend tjetër. Secili nga vendet që ka kontakte me Kinën.

Dega e tekstileve në Itali bashkëpunon intensivisht me sipërmarrës kinezë. Firma e Longos “Block Industrie” ndodhet në Rovolon, një komunë e vogël në Veneto. Ai bashkëpunon edhe me sipërmarrje aziatike. Situata e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit krijon shumë probleme për sipërmarrjen e tij në shumë aspekte:

“Pasojat e koronavirusit për firmën tonë aktualisht janë shumë të rënda. Kjo e gjitha ndodh në pikun e sfilatave të modës, në sezonin e rëndësishëm të dimrit, kur kemi përkatësisht dy sfilata për gratë dhe për burrat.”

Java e Modës në Milano, ditët e fundit u zhvillua në kushte të vështira. Ndërkohë që kjo është një sfilatë shumë e rëndësishme për këtë degë të industrisë tekstile. 

“Dega e tekstilit ka pësuar një goditje, në një fazë mjaft delikate, për më tepër tani pas krizës ekonomike. Kjo edhe për shkak të gjendjes në Kinë që po përballet prej dy muajsh me këtë problem. Kina mbulon 30-36% të konsumit. Ekonomia italiane është dobësuar dhe kësaj i shtohet tani edhe virusi,” -ankohet Longo.

Longo megjithatë ka fat në fatkeqësi, pasi e ka furnizuar ndërkohë 97% të prodhimit të rij. Ai as që do ta imagjinojë se çfarë mund të ndodhte nëse virusi do ta kishte paralizuar dy muaj më parë Italinë e veriut. Ndërkohë vetëm 15% e punonjësve të tij mund të vijnë në firmë. Pjesa tjetër e personelit banojnë në zonën e kuqe, pra në zonat ku ndalohet qarkullimi.

I gjithë personeli shpreson që së shpejti të rivendoset qetësia. Pasi mungonte klientela në Javën e Modës në Milano, ndoshta do të duhej që sfilatat e ardhëshme në Paris të ndihmojnë sadopak degën italiane të tekstileve.

Codogno, pranë Lodi-t, qytezë me rrugë të boshatisura për shkak të koronavirusit