Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, ka njoftuar se është liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai ka njoftuar se lirimi i tij nga të gjitha akuzat është bërë pas një procesi hetimor që ka zgjatur mbi pesë vjet.
“Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time por edhe pastertinë dhe lavdinë e UÇK-së. Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht”, ka njoftuar ai në Facebook.
Ai tutje ka thënë se ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në mënyrë zyrtare.
“Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë. Lufta jonë, si popull, ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, të cilët kanë kryer krime të rënda ndaj popullit tonë. Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë”, ka shtuar Buja.
Javën e kaluar, Buja ka dëshmuar para trupit gjykues në rastin Thaçi dhe të tjerët.