Lajme

Shtrenjtimi i rrymës, Mustafa: Me Qeverinë Kurti vështirësitë e reja vetëm po shtohen

By GAZETA SCANNER 1

April 11, 2023

Ekonomisti Arben Mustafa, njëherit Koordinator në Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, tha se me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka një vazhdim të ciklit të rritjes së ngarkesave për qytetarët, përfshirë këtu edhe bizneset.

Duke folur për rritjen e çmimit të rrymës për 15 përqind, Mustafa tha se Qeveria Kurti duke ngritur çmimet në këtë sektor, po krenohet për subvencionet që po u jep qytetarëve.

“Pra, kemi një vazhdim të ciklit të rritjes së ngarkesave për qytetarët dhe në asnjë mënyrë nuk po shohim se si mund të dalim nga ky cikël në të cilin ka hyrë Qeveria Kurti. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, është vetëm një masë shtesë e shtrëngimit të gjendjes së rëndë të qytetarëve. Qeveria në një anë po e rrit çmimin e energjisë elektrike,e në anën tjetër po krenohet me subvencionet që po u jep qytetarëve. Vitin e kaluar kishim një dyfishim të çmimit të rrymës, kishim rritje të çmimeve të çdo produkti. Në kulmin e krizës, kemi një dyfishim të faturave të tatimit në pronë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kemi një rritje të mëtejme të çmimit të energjisë. Natyrisht që rritja e çmimit të energjisë e rrit presionin te bizneset për rritje të mëtejme të çmimeve”, deklaroi Mustafa në emisionin “Këndi i Debatit”.

Andaj, ekonomisti Mustafa, tha se tani me Qeverinë Kurti në qeverisje, vështirësitë e reja vetëm po shtohen.

“Pra, kjo çka po shohim është një qarkore në të cilët ka hyrë kjo Qeveri, ku nuk po mundet assesi të dalë, sepse tani po kemi vetëm vështirësi të reja. Ndërsa, nëse shohim çka po bën kjo Qeveri për ta lehtësuar barrën e qytetarëve, kemi parë disa masa të përkohshme, mirëpo ato masa nuk janë më”, shtoi tutja Mustafa në Tëvë1.