Kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë në komunën e Gjilanit.
Në paraqitje para mediave Kurti tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e ministrit Liburn Aliu se “Kosova është shtet i përkohshëm”.
“Nuk po më duket e përshtatshme që unë të komentoj emisione televizive që nuk i kam pa, por zëdhënësi im Përparim Kryeziu më tha që ai ka qenë emision festiv, në ditët e festës së flamurit dhe pavarësisë 28 Nëntorit, por sot jemi këtu për punë që po bëhen për qytetarët në të mirën e tyre”, deklaroi Kurti, përcjell Insajderi.
I pyetur për ngecjet në ndërtimin e autostradës së Gjilanit, ai tha se janë shfaqur probleme me rrëshqitjen e dheut.
“Edhe unë e ndaj me juve brengën për autostradën munguar të Gjilanit tash e 7 vjet. Kohëve të fundit ajo çfarë është shqetësim është fakti se janë paraqitur disa problem të rrëshqitjes së dheut na duhet ta riformim i kontratës që të bëhen edhe disa shpronësime që të sanohen këto probleme që na janë shfaqur. Përderisa po ecte me shpejtësi na është shfaqur ky problem. Për vazhdimin e autostradës nga Bresalci në Dheun e Bardh e kemi ndarë buxhetin dhe në prill fillon tenderimi”, theksoi kryeministri.