Botë

Shtëpia e Bardhë e konfirmon monitorimin e armëve anti-satelitore ruse në hapësirë

By GAZETA SCANNER 1

February 16, 2024

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se po e monitoron një armë të re anti-satelitore ruse, e cila thuhet se është në zhvillim e sipër, por që nuk është vendosur ende.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, lëvizjen ruse e quajti shqetësuese ndërsa nuk e konfirmoi por as s’e mohoi drejtpërdrejt se arma ruse ishte bërthamore.

Kirby tha se arma anti-satelitore ruse e shkel Traktatin e Hapësirës së Jashtme e vitit 1967, e cila ndalon vendosjen në hapësirë armët bërthamore ose e ndalon vendosjen e armëve të tjera të shkatërrimit në masë.

“Kjo nuk është një aftësi aktive që është vendosur dhe megjithëse ndjekja e këtij kapaciteti të veçantë nga Rusia është shqetësuese, nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e askujt. Nuk po flasim për një armë që mund të përdoret për të sulmuar qeniet njerëzore ose për të shkaktuar shkatërrim fizik këtu në Tokë. Thënë kështu, ne kemi monitoruar nga afër këtë aktivitet rus dhe do të vazhdojmë ta marrim atë shumë seriozisht”, tha Kirby, shkruan TheGuardian.

Në lidhje me këtë ka folur edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ku tha se “ky është një potencial që ne po e marrim shumë, shumë seriozisht dhe pres që të kemi më shumë informacione shumë shpejt”.

Nga Tirana, Blinken tha se administrata Biden po diskuton edhe me aleatët dhe partnerët e tjerë për këtë çështje.