Lajme

Shqiptaria, letër të hapur drejtuar bashkatdhetarëve: Identiteti e kultura jonë të kërcënuara nga rrymat e huaja

By GAZETA SCANNER 1

September 01, 2024

Në një letër të hapur drejtuar bashkatdhetarëve në diasporë, Organizata Shqiptaria shprehen të shqetësuar për siç thuhet kërcënimin e kulturës sonë shqiptare nga globalizimi dhe rrymat e huaja, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë në mërgim.

“Ndodhemi në një kohë kur identiteti dhe kultura jonë shqiptare janë më të kërcënuara se kurrë nga globalizimi dhe rrymat e huaja, veçanërisht për ata prej nesh që jetojnë në mërgim. Fëmijët tanë, pasuria jonë më e madhe, po rriten larg atdheut, dhe është në dorën tonë të sigurohemi që ata të ruajnë rrënjët e tyre kombëtare, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar”, thuhet në letrën e hapur të Organizatës Shqiptaria.

Më tej thuhet se në këtë kontekst, ‘ju bëj thirrje nga zemra që fëmijët tuaj t’i edukoni në frymën kombëtare shqiptare. Është thelbësore që ata të ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në shkollat publike, për të mbajtur gjallë lidhjen me origjinën e tyre dhe për të kuptuar thellësisht historinë, traditat dhe kulturën tonë të pasur. Gjuha shqipe është shtylla kryesore e identitetit tonë, dhe pa të, ne humbasim një pjesë të rëndësishme të vetvetes’.

Sipas Organizatës Shqiptaria, gjithashtu, është e domosdoshme që fëmijët të shoqërohen dhe të takohen vetëm në klube ku promovohen programet kulturore shqiptare dhe ato të vendeve mikpritëse në të cilat jetoni, si në Angli, Zvicër, Gjermani, Itali, Francë dhe kudo që ndodheni në shtetet perëndimore. “Këto janë vendet ku kultura perëndimore dhe ajo shqiptare takohen dhe bashkëveprojnë, duke ofruar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për zhvillimin e fëmijëve tuaj”, thuhet më tej në letër.