Lajme

Shqipëria 15 vjet në NATO, Peleshi: Vlerësim për kontributin e përfaqësuesve tanë

By GAZETA SCANNER 1

March 18, 2024

Shqipëria shënon këtë vit 15 vjetorin e anëtarësimit në Aleancën më të madhe ushtarake, NATO. Nga përfaqësia diplomatike në Bruksel, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu vlerësimin për kontributin që përfaqësuesit kanë dhënë dhe japin çdo ditë, në këtë rrugëtim.

“Jemi fatlumë që jemi pjesë e hapësirës së NATO-s, e kësaj Aleance të fuqishme ushtarake. Unë dua të përgëzoj punën e përditshme që përfaqësia jonë bën për të përcjellë mesazhet, qëndrimet dhe për të lobuar interesat strategjike kombëtare këtu në NATO, në komitete të ndryshme, por edhe në komandat, jo vetëm në Bruksel, por edhe në të gjithë hapësirën e NATO-s”, theksoi Ministri Peleshi.

Blerim Çaka, Këshilltar për Politikën e Mbrojtjes thotë se janë në komunikim dhe bashkëpunim të përditshëm dhe të ngushtë me 31 aleatët dhe partnerët për jetësimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s.

Përfaqësuesi ushtarak i Republikës së Shqipërisë në NATO, Gjeneral Brigade Ilir Pujo thotë se pjesa ushtarake është zëri dhe figura e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që  përfaqëson vendin tonë në forumet e NATO-s, në komitete ushtarake, nënkomitete, grupe pune dhe borde të ndryshme.

Sipas Kolonel Leonard Kollçaku, Zv.përfaqësuesi ushtarak i RSH në NATO, “detyra parësore e stafit ushtarak është përgatitja e këshillimit sa më të mirë ushtarak për autoritetet vendimmarrëse në Tiranë dhe në Këshillin e Atlantikut të Veriut në përputhje me interesat tona kombëtare të shprehura në dokumentet strategjike”.