Garës për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit i është futur edhe Jakup Nura, i cili ka qenë njeri ndër njerëzit më të afërt dhe më të besueshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari.
Nura është pjesë e listës se PDK-së për deputet dhe mban numrin 11.
Jakup Nura është nga fshati Prelloc të Skenderajt dhe është njeri ndër personalitetet më të respektuara në Drenicë dhe jo vetëm.
Nura pas zyrtarizmit të kandidaturës për deputet, ka thënë se është i gatshëm të shërbej për Kosovën po me të njëjtin përkushtim sikurse gjatë angazhimeve për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
“Kandidatura ime është vazhdim i një angazhimi që nga ditët e rinisë për vendin tonë – ashtu siç isha në ditët më të vështira të Kosovës, luftëtar i orëve të para për lirinë e saj, po ashtu edhe sot, i vendosur për ta ndërtuar të ardhmen e saj. Unë besoj fort se liria jonë merr kuptim të plotë vetëm kur e kthejmë atë në mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë. Për këtë, angazhimi im është i palëkundur – për të mbështetur të rinjtë, për t’u qëndruar pranë familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve, dhe për t’u siguruar që sakrificat e së kaluarës të shpërblehen me dinjitet dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë. Prandaj, duke marr parasysh gjithë këto, kërkoj besimin dhe mbështetjen e secilit prej jush. Ashtu siç i shërbeva Kosovës atëherë, do t’i shërbej me të njëjtin përkushtim edhe tani – për një Kosovë më të begatë, të fortë dhe të bashkuar”, ka thënë Nura. /Scanner/