Shkullaku: Prania e shtetit të Kosovës në veri është më evidente sesa që ka qenë më përpara

Analisti politik, Armand Shkullaku, ka thënë se prania e shtetit të Kosovës sot është më evidente në veri të Kosovës se ç’ka qenë më parë.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka theksuar se serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës nuk e kanë pasur hallin te targat e automjeteve.

“Veriu ka qenë nën kontrollin e Beogradit gjithmonë. Që ato struktura kontrollohen nga Beogradi, ne këtë e kemi ditur. Sot kjo është shpërfaqur botërisht. Pra, u tha ta zgjasim afatin për targat dhe serbët të kthehen në institucione dhe të heqin dorë nga bojkoti, pamë që nuk ishin problem targat. Këta nuk po kthehen në institucione, nuk duan të njohin shtetin e Kosovës dhe nuk duan të integrohen. Pra, integrimi ka qenë fals”.

“Ajo që shoh unë si përparësi në këtë rast është sepse duke u nisur edhe nga përvoja e Kosovës vetë, proceset në Kosovë kanë ecur përpara kur kanë lëvizur gjërat në terren. Për shumë vite me radhë edhe këtu edhe në opinionet ndërkombëtare është krijuar ideja shiko: mos ta mërzisim dhe hajt t’ia bëjmë një lëshim Serbisë”, u shpreh ai.

Sipas tij, me agresionin rus në Ukrainë, tani gjërat kanë filluar të ndryshojnë edhe për Serbinë.

“Kjo tregon që realisht në veri ka një problem, duam apo s’duam ne. Prania e shtetit të Kosovës sot është më evidente dhe më e pranishme në veri se sa që ka qenë përpara. Sot të paktën po flitet për këtë gjë”, deklaroi analisti politik, Armand Shkullaku. /Klankosova.tv/