LajmeOp/Ed

Shkruan Bedri Islami: Nuk mund të krijohet një histori e re

*Autori ka qenë drejtues i LPK-së

Qëllimi për të asgjësuar apo ndryshuartë kaluarën – në mënyrë paradoksale – është një nga provat se e kaluara nuk mund të asgjësohet.

E kaluara është e pashkatërrueshme, heret a vonë të gjitha gjërat kthehen, dhe, njëra nga gjërat që kthehet është edhe projekti për të asgjësuar të shkuarën. Ose për ta ndryshuar atë.

Nuk mund të krijohet një histori e re rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth idesë, vizionit, formësimit, emërtimit.

Shpesh herë historia mund të ndryshojë nga vizioni i disa njerëzve dhe ajo mund të kthejë rrugë nga vendosmëria e një grupi njerëzish që bartin një ide, e cila, në vetvete i paraprin jetës dhe ndryshon nga ajo që deri asaj dite është quajtur e zakonshme.

Vizioni i disa njerëzve idealistë, të mbledhur në Lëvizjen Popullore të Kosovës, vizion i formuar jo në një ditë dhe jo rastësisht, solli në politikën shqiptare të Kosovës motivin e qendresës.

Këto njerëz që sollën këtë motiv u bënë edhe bartësit e saj, çka ishte një zhvillim i pashoq në vetë politikën, sepse vizionarët u bënë edhe dishepujtë e idesë së tyre.

Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Faslia, Ali Ajeti, Hasan Ramadani, Fasli Grajçevci, Ahmet Haxhiu, Zeqir Gërvalla, Ramadan Shala, Metush Krasniqi, dhanë një përgjigje të shkurtër për një pyetje të madhe.

  • A kishe me e dhane jetën për Kosovën?
    -Me dëshirën më të madhe!

Ky grup vizionarë ishte i frymëzuar nga idea e lirisë.

Ata nuk ishin më vetëm një cifël nga shkëmbi i vjetër i qendresës, por vetë shkëmbi i vjetër.

Vazhduesit e tyre , pasi kishin kaluar nëpër sprova të mendimit, vendosmërisë, rrugëtimit të vështirë, ballancimit të ideve dhe filozofisë së dinjitetit dhe të maturisë vendosën të ndërmarrin aktin final: Luftën!

Në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës, 1993 , që u mbajt në Prishtinë, në familjen Brajshori, morën vendimin historik për organizimin e strukturuar të Luftës së Armatosur.

Një vit më vonë, pas diskutimeve të shumta, kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila, sipas një vendimi të posaçëm të Trupës Drejtuese, pas arrestimeve që ndodhën në gusht 1993, kishte marrë kompetencat e drejtimit të organizatës, vendosi që struktura e armatosur të quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nuk ka pasur asnjë propozim nga jashtë strukturës klandestine dhe asnjë institucion i të ashtuquajturës Qeveri në mërgim, apo pjestar i saj, nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën e asaj që ka ndodhur.

Për këtë janë ende dokumentat e duhura, proçeset e mbajtura dhe përcaktimet e kohës.

Kjo nuk ndryshon, edhe sikur të ndërrohen dhjetra qeveri.

Stema e UÇK-së dhe e Fondit ” Vendlindja thërret” është punuar nga Adnan Asllani, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, pas kërkesës së Gafur Elshanit, i ngarkuar nga kryesia.

Stema , pas konsultimeve me ushtarakë shqiptarë dhe specialistë të fushës është miratuar nga kryesia e Organizatës, në bashkëpunim me drejtuesit e UÇK-së në terren. Po ashtu janë miratuar edhe formësimet e tjera.

17 nëntori 1994 është dita e emërtimit të UÇK-së. Por vetë ajo ka themelimin e saj në aksionet e anëtarve të saj që më heret dhe struktura është ngritur pikërisht nga kërkesat e këshillave popullorë të Lëvizjes, si ai i Drenicës, ku ishte edhe Adem Jashari, Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Ramiz Lladrovci, Shaban Shala, Hashim Thaçi, Nuredin Lushtaku, Fadil Kodra, Abedin Rexha; nga këshilli i Pejës, ku ishin edhe Adrian Krasniqi, Qerim Kelmendi; nga këshilli i zonës së Llapit , ku ishin Ilir Konushevci, sabri Kiçmari, Bajram Ajeti , etj.

Disa nga drejtuesit më të shquar të UÇK-së, figurat mitike të Kosovës ishin antarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Këtë nuk e ndryshon askush. Ata nuk luftuan nën flamurin e Lëvizjes, por nën flamurin kombëtar. Por, ata dëshmuan se , duke qenë pjesë e një organizate thellësisht nacionaliste, vepra e njerëzve të mëdhenj është prej atyre rasteve kur historia mund të ndryshojë rrugën e saj nga vendosmëria e një grupi njerëzish. Adem Jashari, Fehmi dhe Xheva Lladrovci, Ilaz Kodra, Luan Haredinaj, Shkelzen Haradinaj. Abedin Rexha, Shaban Shala, Ali Ahmeti, komandant Remi, Ahmet Isufi, Ramush Haredinaj, Rrahman Rama, Agim Çeku, Adrian Krasniqi, Qerim Kelmendi, Ilir Konushevci, Gursel dhe Bajram Sulejmani, Gani Paçarizi, Selim Krasniqi, Luljeta Shala, Rasim Kiçina, Kadri Veseli, Ibrahim Kelmendi, Bardhyl Mahmuti, Jashar Salihu, Edmond Hoxha, Xhavit Hoxha, Jakup Krasniqi, e qindra të tjerë , duke qenë pjesë drejtuese e Lëvizjes Popullore të Kosovës, u bënë edhe tribunt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fakt ata bënë historinë e re të Kosovës.

E di se do të ketë përpjekje për të devijuar të vërtetat themelore historike, për të gjetur autorë të paqenë dhe liderë që nuk kanë qenë kurrë të tillë; për të transformuar atë që ka ndodhur duke synuar të bëjnë vend edhe për ata që e braktisën luftën.

Do të jenë shmangie të përkohëshme.

Historia nuk mund të ndryshojë nga tekat e politikës.

Historia e sundon politikën me të vërtetën e saj.