Lajme

Shkrimi i Kurtit për NATO-n, Driton Selmanaj rikthen në vëmendje disa komunikata të vjetra të VV-së

By GAZETA SCANNER 1

July 05, 2024

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka bërë një reagim pas opinionit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në “New York Times”.

Ai ka përmendur që Kurti në artikullin e tij, thotë se “bombardimet i dhanë fund tmerrit dhe se për të intervenuar NATO duhej vullneti politik i fuqive të mëdha”.

Në postimin në Facebook, Selmanaj ka rikthyer disa prej shkrimeve më të vjetra të VV-së, në të cilat sipas tij, thuhet si në vijim:

“Albin Kurti 2010: “Noam Chomsky ka të drejtë kur thotë se në rast të paraqitjes së krizës humanitare, bota e jashtme ka tri mundësi: të veprojë për ta rënduar katastrofën; të mos veprojë fare; dhe të veprojë për ta zbutur katastrofën; Kosova i takon kategorisë së parë.”

Albin Kurti 2010: “Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren”

Albin Kurti 2010: “Nuk ka pasur autorizim të OKB-së për bombardimet e NATO-s, edhe pse disa konsiderojnë se me aprovimin e Rezolutës 1244 realisht miratohen bombardimet e NATO-s”.

Edhe pse tani nga kolltuku i Kryeministrit ka filluar të ju vijë turp për qëndrimet e tij dhe tashmë ato komunikata i keni fshirë nga interneti, ato njolla nuk mund t’i fshini nga fytyra juaj”.