Pasi pranuan se marrëdhënia e tyre është e ngrirë, iah-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe deputetja e Kuvendit shqiptar, Monika Kryemadhi shkrinë akujt me një shtrëngim duarsh në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Partisë së Lirisë.
Përveçse i shtrëngoi dorën, i tregoi edhe mesazhin e shkruar në bluzën e saj rozë, shkruan tvklan.
Në foltore Kryemadhi nuk hezitoi të tregonte gjithë dhimbjen që ndjente për imazhin e Ilir Metës, që këtë të fundit kjo dhimbje e shprehur në këtë mbledhje partie e bëri veçse për të qeshur.
Kryemadhi: Kam dhimbje. Kam dhimbje kur shikoj se si shkërmoqet imazhi i Ilir Metës. Kam dhimbje se si shikojnë një burrë shteti se si firmos një letër ‘paçavure’ të ndërtuar, mbi bazën e një administratori godine.
Por si një njeri që e njeh shumë mirë, Monika Kryemadhi e ka një shpjegim për këtë sjellje të Ilir Metës.
Kryemadhi: Megjithatë buzëqeshja e fortë ndonjëherë tregon edhe dhimbjen e madhe.
Ndërsa në fund, iu dha një përgjigje të gjithë atyre që deri më tani e akuzojnë se i frikësohet drejtësisë.
Kryemadhi: Nuk më rr*het fare as për burgun dhe as për SPAK-un. Sa kam parë kumbulla dhe fara luledielli të tilla në jetën time në 30 vjet. Si puna e këtyre do hyjnë dhe do të dalin sa të duash.
Meta:E përshëndes fjalimin e Monikës, përveç asaj fjalës që bije në kundërshtim me kodin e etikës, por ai nuk është miratuar akoma, kështu që nuk ka problem.
Teksa problemin kryesor në Partinë e Lirisë, Ilir Meta ka quajtur nepotizimin, ai ka thënë se këtë të fundit do ta ekzekutojnë në 27 Prill, ditë kur do të mbahet Konventa Kombëtare e PL-së.
Meta: Me 27 Prill votojmë për të ekzekutuar nepotizmin dhe për të instaluar njëherë e përgjithmonë meritokracinë sepse kjo është rruga që t’ju japim shqiptarëve besimin se kështu do të jemi nesër në qeverisjen e vendit.
Meta ka vijuar akuzat ndaj drejtësisë, teksa ka thënë se aty është kulmi i nepotizmit ku sipas tij ka 7 anëtarë nga një familje në një prokurori.