Botë

Shkon në mbi 7 260 numri i viktimave në Turqi e Siri

By GAZETA SCANNER 1

February 07, 2023

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur Turqinë dhe Sirinë ka shkuar në 7266. Ndërsa deri tani numërohen mbi 35 mijë të plagosur.

Ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca ka njoftuar mbrëmjen e sotme se nga tërmetet kanë humbur jetën të paktën 5434 persona dhe janë lënduar 31777.

Në kushte të pafavorshme, për shkak të pasgoditjeve dhe të ftohtit ekipet e shpëtimit po garojnë me kohën për të gjetur të mbijetuar në rrënojat e ndërtesave të shembura në Turqinë juglindore dhe në Sirinë veriperëndimore. Vlerësohet se qindra njerëz mbeten të bllokuar në rrënoja dhe ankthi për fatin e tyre sa vjen e shtohet me kalimin e orëve.

Kjo situatë ka bërë që në spitale të ketë mbingarkesë. Në Siri raportohet se spitalet janë absolutisht të mbingarkuar dhe vetëm shtohen të plagosurit që kanë nevojë për trajtim mjekësor.