Bilall Sherifi i Nismës ka bërë një reagim lidhur me deklaratën e kryeministrin Albin Kurti se ambasadori Hovenier di me shumë për veriun.
Sherifi në këtë rast ka shtruar një pyetje.
Postimi i plotë:
Atyre që e kanë zgjedhë kryeministër, pra deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën e Kuvendit që u mbajt pas arritjes së marrëveshjes, u tha se e pranoi marrëveshjen për targat të enjten dhe jo të hënën pasi që në marrëveshjen e të enjtes u përfshi edhe fillimi i diskutimit për planin Franko-Gjerman duke e prezantuar si fitore të madhe të tij përballë Serbisë dhe Borellit!
Ndërsa për gazetarin Michael Martens ka deklaruar që e ka pranuar marrëveshjen për targat pasi ambasadori amerikan Hovenier i ka dhënë informata mbi sigurinë, të cilat Kurti deklaron që nuk i ka pasur më herët!
Për të njëjtën çështje dy deklarata të ndryshme të cilat përjashtojnë njëra tjetrën. Tash, shtrohet pyetja kur ka gënjyer Kurti: në seancë të Kuvendit kur i “informoi” deputetët për arritjen e marrëveshjes apo në intervistën dhënë gazetarit Michael Martens!
Gjasat më të mëdha janë të ketë gënjyer gjatë “informimit” të deputetëve në seancën e Kuvendit, pasi që kjo nuk është hera e parë që Kurti më shumë informata jep përmes mediave të huaja sesa gjatë raportimeve në Kuvend!
Qasja e tillë e kryeministrit Kurti dëshmon mospërfilljen totale ndaj përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës! Është dëshmi që kryeministri Albin Kurti Kuvendin e Kosovës dhe deputetët i trajton në të njëjtën mënyrë siç i trajtonte dikur senatin dhe senatorët e Romës perandori famëkeq Kaligula!