Botë

Shefi i CIA-s: Lufta në Ukrainë, shkatërruese për Putinin

By GAZETA SCANNER 1

July 02, 2023

Sipas kreut të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) së SHBA-së, William J Burns, lufta në Ukrainë po ka një efekt shkatërrues në udhëheqjen e Rusisë nga presidenti Vladimir Putin.

Pakënaqësia ruse për luftën po ofron mundësi të reja për CIA-n për të mbledhur informacione të inteligjencës, tha drejtori i agjencisë, Burns.

Agjenti kryesor i SHBA-së i bëri këto komente përgjatë një ligjërate vjetore të tij për Fondacionin Ditchley në Mbretërinë e Bashkuar, një javë pas rebelimit të shefit të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Burns tha se të gjithë ishin “mashtruar” nga rebelimi i 23 qershorit i Prigozhinit ndaj Moskës, kur forcat e tij mercenare Wagner marshuan drejt kryeqytetit rus.

Veprimet e Prigozhinit ishin “përkujtim i efektit shkatërrues të luftës së Putinit në shoqërinë e tij dhe në regjimin e tij”, tha ai.

Drejtori i CIA-s tha gjithashtu se jo vetëm veprimet e Prigozhinit, por edhe deklaratat e tij – të cilat përfshinin akuza si për arsyet prapa pushtimit rus të Ukrainës dhe mënyrës se si ajo është ekzekutuar – do të kenë efekt edhe më tutje.

“Pakënaqësia me luftën do të vazhdojë të shkatërrojë udhëheqjen ruse”, tha Burns në fjalimin e tij.

“Kjo pakënaqësi krijon një mundësi [që vjen] një herë në gjeneratë për neve në CIA”, shtoi ai, duke iu referuar rolit të agjencisë në rekrutimin e agjentëve për të ofruar informacion.

“Nuk po e lëmë të shkojë dëm”, tha ai, duke shkaktuar të qeshura nga publiku. “Ne jemi shumë të hapur për biznes”.

CIA ka nisur së fundmi një fushatë të re në rrjete sociale në tentim për të arritur te njerëzit në Rusi. Pjesë e kësaj fushatë është edhe një video e postuar në platformën Telegram, e cila përdoret gjerësisht nga rusët. Fushata dha udhëzime se si mund të kontaktohej CIA në “dark web” pa u monitoruar.

Kjo video mori 2.5 milionë shikime gjatë javës së parë.

Burns përsëriti edhe mesazhin, që zyrtarë të tjerë amerikanë kanë bërë më parë publikisht, se SHBA-ja nuk kishte asnjë rol në kryengritjen e Prigozhinit.

Ai nuk foli për raportet e fundit në mediumin amerikan Washington Post se kishte bërë një vizitë të fshehtë në kryeqytetin ukrainas para kryengritjes.

Gjatë asaj vizite u raportua se u diskutua që sukseset në kundërsulmin e Ukrainës mund të hapnin rrugë për negociata paqeje nga një pozicion më i fortë, nëse do të merrej një territor i konsiderueshëm, shkruan REL.

Burns kishte shërbyer si ambasador i SHBA-së në Rusi nga viti 2005 deri më 2008. Ai tha se një gjë që kishte mësuar ishte se nuk duhej të nënvlerësohej fiksimi i Putinit për ta kontrolluar Ukrainën.

Udhëheqësi rus besonte se pa Ukrainën, Rusia nuk mund të ishte një fuqi e madhe dhe vetë Putini nuk mund të ishte një udhëheqës i madh, tha ai.

“Ky fiksim tragjik dhe brutal tashmë i ka sjellë turp Rusisë dhe ka ekspozuar dobësitë e saj”, tha Burns.

“Lufta e Putinit ka qenë tashmë një dështim strategjik për Rusinë: dobësitë e saj ushtarake u zbuluan, ekonomia e saj është dëmtuar rëndë për vitet në vijim, e ardhmja e saj si një partner i vogël dhe koloni ekonomike e Kinës është duke u formësuar nga gabimet e Putinit”, shtoi ai.