Lajme

Shea: NATO të punojë që Kosova të bëhet një vend anëtar

By GAZETA SCANNER 1

February 18, 2024

Një çerek shekulli ka shkuar nga lufta dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Megjithatë, diçka ka mbetur e njëjtë. Kosovarët, përkundër kalimit të viteve, vazhdojnë ta mbajnë mend mirë ish-zëdhënësin e NATO-s, Jamie Shea, që ishte zëri dhe fytyra e shpresës për kosovarët në vitin 1999.

Prandaj, në vizitën e parë në Prishtinë, u prit si një hero.

“Ky ka qenë një moment fantastik. … Vetëm një herë në jetë. Për mua, ajo mikpritje ka qenë një privilegj fantastik. Ka qenë paksa befasuese, sepse, këtë gjë e kam thënë shpesh, unë nuk e kam ditur që njerëzit kishin mundësi që t’i dëgjonin konferencat për media. Unë nuk e kam ditur këtë. Përshtypja ime ka qenë që serbët do ta gjejnë një mënyrë që ta bllokojnë gjithë këtë, ta ndalojnë transmetimin që të hyjë në Kosovë, që kosovarët nuk do të kenë radio apo televizor. Dhe, sinqerisht kam menduar që po flisja më shumë tek një audiencë ndërkombëtare. Kështu që të shkoja në Kosovë dhe ta kuptoja për herë të parë që njerëzit kanë pasur qasje në konferencat për media dhe ka qenë pak ndihmë në mbajtjen e moralit, mbajtjen e konfidencës dhe guximit në një kohë shumë të vështirë, ka qenë paksa befasuese”, ka rrëfyer Jamie Shea ish-zëdhënës i NATO-s.

Intervenimi i NATO-s në Kosovë, është periudha më sfiduese që Jamie Shea e ka kaluar në organizatën veri-atlantike.

Duke reflektuar mbi plagët e Bosnjës, NATO kishte një vendosmëri të palëkundur për të shmangur një përgjakje të njëjtë në tokën e Kosovës.

“Unë e kam ndjerë që NATO duhet t’i mbaj fjalët. Unë e kam jetuar edhe konfliktin e Bosnjës, fqinjit tuaj verior të Jugosllavisë së vjetër, nga viti 1992 deri më 1995 dhe ato ishin ditë shumë të vështira. Sepse ne kemi bërë shumë premtime për aksione ushtarake, të cilat nuk i mbajtëm. Ne akuzoheshim nga shumë gazetarë se ishim një ‘Tigër prej letre’. Ne e kemi pasur politikë që t’i japim OKB-së të drejtën e vetos për sulmet ajrore, kështu që kishim të themi dy lloje të ndryshme të gishtërinjve në të njëjtën anë, që ka qenë kontradiktore. Dhe ne ishim duke vendosur avionë ajër, të cilët po bënin shumë zhurmë, por nuk po intervenonim në fushëbetejë. Dhe e gjithë kjo rezultoi në tragjedinë monumentale të Srebrenicës, në korrik të vitit 1995, ku forcat serbe masakruan 8313 djem, sikur në Reçak, djem dhe burra. Gjykimi im, për kredibilitetin e NATO-s ne nuk deshëm që të ripërsëritet ajo performancë e tmerrshme. Dhe këtë herë, kredibiliteti ka qenë kryesori. Ne negociuam në një besim të mirë, komuniteti ndërkombëtar, Rambujeja. Ne ju kemi dhënë serbëve shumë dalje nga situata, ajo që amerikanët e quanin “Off-ramps” (rrugë një drejtimshe), që të dalin nga kriza, rrugë që ata mund ta kishin ndjekur për ta shmangur një konfrontim me NATO-n. Por, veçanërisht pas Reçakut, me cenimin e të drejtave të njeriut në terren, me refugjatët, me shkeljet e të drejtave të njeriut, aksionet e serbëve, veçanërisht të policëve. Askush nuk dëshironte të përdorte forcën, por unë isha i përcaktuar që nëse NATO ka thënë qartësisht se ishte një vijë e kuqe, nëse ajo vijë e kuqe kalohet, atëherë ne duhet të ishim të qartë në vendimet tona”, ka shtuara tutje Shea.

Në kokën e Sheas, marrëveshja e Rambujesë qëndron si përpjekja historike në ndërmjetësimin e paqes në Kosovë.

Ai thotë se konferencat nga zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel, nuk kanë qenë të lehta.

Sidomos, në kohën kur në Kosovë po ndodhnin shumë zhvillime.

“Nuk ka qenë e lehtë. Clausewitz, strategu gjerman i Prusisë, e ka thënë frazën ‘Mjegulla e luftës’, çdokush e din këtë frazë dhe është e vërtetë. Ju nuk e keni një situatë të qartë se çfarë po ndodhë në terren, inteligjenca nuk është 100% dhe kështu ju jeni i shqetësuar veçanërisht kur flisni për mediat, frikësoheni nëse do të bëni ndonjë gabim, t’i thoni faktet gabim. Kredibiliteti i NATO-s ka qenë gjithashtu që të jemi të sinqertë, t’i kemi faktet në rregull. Pra, kur ju nuk jeni duke i monitoruar drejtpërdrejt gjërat për të cilat jeni duke folur, nuk është e lehtë. Nëse ju do ta komentoni një ndeshje futbolli, të cilën ju nuk e keni parë, nuk jeni në stadium, ju jeni duke i marrë informacionet nga shokët që kanë qenë në ndeshje, ju nuk jeni në një pozitë të rehatshme për të qenë një komentues futbolli. Është shumë më mirë të jesh brenda në stadium, duke e monitoruar atë që po ndodhë në fushë”, ka deklaruar Jamie Shea.

25 vjet pas luftës së që la pas shumë viktima, Shea është krenar me të arriturat e Kosovës.

“Qartazi, ju keni qenë duke jetuar në një fqinjësi të vështirë, që nuk i ka bërë gjërat edhe aq të lehta për ju. Tani Beogradi thotë që dinari është një valutë zyrtare e Kosovës, si dhe duke mbajtur qasje të tillë që Kosova na takon neve, përkundër që ne nuk e kontrollojmë atë, kjo nuk është shumë e lehtë. Duke i pasur parasysh këto gjëra, ku ju keni nisur nga asgjë, sepse e dini që serbët morën gjithë dokumentet, ata kanë dëmtuar shumë resurse ekonomike para se të largoheshin. Ata e kanë lënë Kosovën me shumë pak, më tepër si refugjatë që mbërrijnë me pak para dhe vetëm me rrobat që mbajnë në shpinë. Në këto rrethana, mendoj që Kosova ka bërë jashtëzakonisht mirë. Kur unë kthehem në Prishtinë, çfarë vërej? Më shumë hotele të mira, më shumë vetura në rrugë, restorante shumë të mira, më shumë universitete, e të tjera, e të tjera. Sigurisht, ka probleme, mirëpo secili shtet ka probleme, demokracia nuk është asnjëherë perfekte. Por, shoh progres”, ka vlerësuar Jamie Shea.

Që nga shpallja e Pavarësisë, e themelimi i Forcës së Sigurisë, Kosova e ka një synim, anëtarësimin në NATO.

Derisa kjo të ndodhë, Shea thotë se duhet edhe pak kohë.

“Ju duhet ta keni konsensusin e të gjitha 32 shteteve anëtare, për t’u pranuar si një anëtar i ri. Por, çfarë unë mendoj se NATO duhet të bëjë, është që të punojë në atë drejtim që Kosova të bëhet një vend anëtar. Nëse mund ta përdor një analogji, është sikur, t’i nuk ke mundësi që të martohesh nesër, por kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të shkoni në pushime bashkë, të ndani llogarinë bankare, të mendoni për emrin e fëmijës tuaj të parë. Ju mund të bëni gjëra që janë përgatitje për gjithë këtë, edhe nëse ceremonia e martesës për arsye politike apo administrative nuk mund të bëhet. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që NATO e angazhon Kosovën si partner. KFOR-i është atje. KFOR-i është përforcuar, Gjermania ka dërguar qindra trupa shtesë, shteti im Britania e Madhe ka dërguar trupa, kjo është e mirë, është mirë që KFOR është atje për ta mbajtur sigurinë”, ka përfunduar Shea.

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jaime Shea, tani është në pension por vëmendjen nga Kosova e kosovarët të cilët i janë mirënjohës për punën e bërë, nuk e largon asnjëherë. /Dukagjini/