Lajme

Shea: Kosova të bëjë gjithçka për ta përshpejtuar anëtarësimin në NATO

By GAZETA SCANNER 1

September 09, 2023

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, tha se është i bindur se një ditë do të ketë lëvizje politike në Ballkanin Perëndimor dhe se Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s.

Sipas tij detyra e Kosovës është të bëjë gjithçka që mundet për ta përshpejtuar atë proces.

“Kosova ka shumë miq që mund të ndihmojnë me këtë strategji të diplomacisë publike. Unë personalisht jam i bindur se një ditë do të ketë lëvizje politike në Ballkanin Perëndimor dhe se Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s. Detyra e Prishtinës është të bëjë gjithçka që mundet për ta përshpejtuar atë proces”.

Për mundësinë që Kosova, të bëhet pjesë e NATO në një kohë të shkurtër, Shea tha se ka ende shumë punë për të përmbushur standardet e NATO-s dhe të 31 aleatët duhet ta njohin Kosovën si një vend të pavarur përpara se anëtarësimi të mund të ecë përpara.

“Prania e qëndrueshme e ushtarëve të NATO-s/KFOR-it në territorin e Kosovës më shumë se 24 vjet pas përfundimit të konfliktit në vitin 1999 nënvizon gjithashtu se Kosova ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar kohezionin dhe stabilitetin e saj të brendshëm – edhe pse këtu është e vështirë të arrihet përparim nëse Beogradi nuk është partner kooperativ”, tha Shea për RTK-në.

Shea tutje tha se Kosova në të ardhmen e afërt prioritet duhet ta ketë forcimin e partneritetit të përditshëm me NATO-n dhe hapjen e fushave më të thella të bashkëpunimit, si në trajnime, stërvitje të përbashkëta, prokurim, modernizim dhe arritjen e ndërveprueshmërisë të plotë me NATO-n.

Ai foli edhe për fuqinë e madhësinë ushtarake të Kosovës, për të cilën tha se për momentin Kosova mbrohet nga NATO dhe se nuk ka nevojë të zhvillohet një ushtri e madhe, e cila do të përdorte burime të vlefshme që nevojiten për të krijuar vende pune, për të mirësuar arsimin dhe për të ofruar shërbime më të mira sociale.

“Kosova duhet të zhvillojë një forcë e cila është  ndërvepruese me NATO-n, por që është e qëndrueshme financiarisht në afat të gjatë dhe e balancuar kundrejt prioriteteve të tjera të shpenzimeve qeveritare. Këshillat e NATO-s për strukturat dhe buxhetet e forcave mund të jenë të dobishme për Kosovën këtu”, tha Shea./RTK