Botë

ShBA shpreson se do të zhvillohen bisedime të reja për pengjet në Gazë

By GAZETA SCANNER 1

January 16, 2024

Shtetet e Bashkuara kanë shpresë që bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari mund të rezultojnë me një marrëveshje të re në mes të Izraelit dhe Hamasit, për t’i liruar pengjet, në këmbim të armëpushimit në Gazë, ka thënë Shtëpia e Bardhë të martën.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

“Nuk dua të them shumë publikisht, mirëpo kemi shpresë që mund të kemi fryte, dhe atë shpejt”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i SHBA-së, John Kirby.

Brett McGurk, këshilltari kryesor për Lindje të Mesme, i presidentit amerikan Joe Biden, është në Doha qysh javën e kaluar, për të diskutuar një marrëveshje për pengjet.

Militantët e Hamasit kanë marrë 250 njerëz peng në Gazë, kur e kanë kryer sulmin e 7 tetorit në Izrael, duke lënë edhe mbi 1.200 njerëz të vrarë.

Një pjesë e pengjeve është liruar, me një marrëveshje të mëhershme, ndërsa tani besohet se mbahen edhe 132 njerëz, disa prej të cilëve edhe amerikanë.

Pas sulmit të Hamasit, Izraeli e ka nisur luftën, me synim të shkatërrimit të grupit ekstremist.

Si pasojë e luftës, në Gazë janë vrarë rreth 24.200 palestinezë, rreth 70 për qind e tyre gra dhe fëmijë.

Kirby e ka përmendur rëndësinë e njoftimit të Izraelit që do ta pushojë fazën intensive të luftës, e cila ka rritur shqetësimet për përshkallëzim të konfliktit në Lindje të Mesme.

Sipas tij, ulja e shkallës së sulmeve nga Izraeli, do të ndikojë në shtim të ndihmave brenda Gazës. /REL/