Neighborhoods destroyed by tornadoes are seen in this aerial photo in the aftermath of Hurricane Milton, Thursday, Oct. 10, 2024, in Fort Pierce, Fla. (AP Photo/Gerald Herbert)

Botë

ShBA, ndikimi i uraganëve të njëpasnjëshëm tek fushata presidenciale

By GAZETA SCANNER 1

October 12, 2024

Uraganët Helene dhe Milton ndërhynë në fushatën presidenciale të këtij viti si miq të paftuar dhe shkatërrimtarë.

Uraganët e njëpasnjëshëm i kanë detyruar kandidatët, demokraten Kamala Harris dhe republikanin Donald Trump të ndryshojnë kalendarin e fushatës dhe temat e saj. Të enjten të dy ata ia kushtuan një pjesë të mirë të ditës përgjigjeve për përpjekjet për rimëkëmbjen nga stuhitë.

Ato u bënë shkas për pyetjet e amerikanëve se cili president do t’u përgjigjej më mirë fatkeqësive natyrore vdekjeprurëse, një çështje të cilës dikur nuk i kushtohej shumë vëmendje, por që gjithnjë e më shumë është bërë një pjesë e rutinës së punës së administratës. Dhe duke ndodhur vetëm disa javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit, uraganët kanë sjellë pasoja tek planet e votimit në disa qarqe kyçe.

Nënpresidentja Harris po përpiqet ta përdorë këtë si një mundësi për të projektuar aftësitë e një udhëheqëseje, duke u paraqitur përkrah Presidentit Joe Biden për t’u informuar për gjendjen dhe duke bërë thirrje për bashkëpunim dypartiak.

Ish-presidenti Trump po përpiqet të përdorë këtë moment për të akuzuar administratën për paaftësi, si edhe për të hedhur dyshime se ajo nuk po ndihmon zonat republikane, pavarësisht se nuk ka prova për një gjë të tillë.

Trysnia rritet më tej nga nevoja për të siguruar më shumë fonde për Administratën e Biznesit të Vogël dhe Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, gjë që do të kërkonte që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të bashkëpunojnë me administratën Demokrate.

Presidenti Biden tha të enjten se ligjvënësit duhet të merren menjëherë me këtë çështje.

“Përballja me kriza të njëpasnjëshme do ta vendosë FEMA-n më shumë në qendër të vemendjes dhe për rrjedhojë, administrata e (Presidentit) Biden do të jetë nën mikroskop në ditët para zgjedhjeve,” thotë Timothy Kneeland, profesor i Universitetit Nazareth në Rochester në New York, i cili e ka studiuar këtë çështje.

“Nënpresidentja Harris duhet të shfaqë ndjeshmëri për viktimat pa ndryshuar kalendarin e fushatës” shton Prof. Kneeland.

Kandidatët Trump dhe Harris secili kanë vizituar Xhorxhian për të vlerësuar dëmet nga uragani dhe për të premtuar mbështetje, dhe zonja Harris ka vizituar Karolinën e Veriut, çka do të thotë që kandidatëve u është dashur të anulojnë aktivitete fushate diku tjetër në një moment kur koha është burim i çmuar në javët e fundit përpara zgjedhjeve.

Si Xhorxhia, ashtu edhe Karolina e Veriut janë shtete vendimtare për zgjedhjet.

Pasojat e uraganit janë të dukshme edhe në aktivitetet e tyre të fushatës.

Kandidati republikan Donald Trump sulmoi kandidaten demokrate, Nënpresidenten Kamala Harris dhe Presidentin Joe Biden lidhur me masat e rimëkëmbjes nga stuhia.

“Qeveria federale … nuk ka bërë atë që duhet të bënte, në veçanti në lidhje me Karolinën e Veriut,” tha ai të enjten.

Zonja Harris, e cila ka thënë se zoti Trump po përhap gënjeshtra në lidhje me përgjigjen e qeverisë, iu kundërpërgjigj politizimit të kësaj çështjeje gjatë një bisede me votues organizuar nga televizioni Univision të enjten.

“Për fat të keq kemi parë gjatë dy javëve të fundit, që me uraganin Helene dhe tani me pasojat e menjëhershme të Miltonit, që njerëzit po luajnë lojëra politike”, tha ajo pa përmendur emrin e ish-Presidentit Trump.

Zonja Harris e ka vënë theksin edhe tek dezinformatat që po përhapin republikanët.

Politikanët e të dyja palëve janë thellësisht të vetëdijshëm se si ra mbështetja e për ish-Presidentin republikan George W. Bush pasi uragani Katrina shkatërroi New Orleans-in në vitin 2005. Perceptimi i shumë njerëzve në atë kohë ishte se përgjigja e administratës së tij ishte e pamjaftueshme.

Stuhitë kanë shkaktuar probleme edhe për procesin e votimit. Bordi Shtetëror i Zgjedhjeve i Karolinës së Veriut ka miratuar një rezolutë për të ndihmuar njerëzit në qarqet e prekura të shtetit që të votojnë. Florida do t’u lejojë disa qarqeve fleksibilitet më të madh në shpërndarjen e fletëvotimeve me postë dhe ndryshimin e vendeve të votimit./VOA/