Samantha Power, shefja e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka njoftuar një paketë prej 55 milionë dollarësh për infrastrukturën e energjisë së Ukrainës, ndërsa vendi i shkatërruar nga lufta po përgatitet për një dimër të zymtë, shkruan CNN.
“Kjo paketë do të përfshijë riparimet dhe mirëmbajtjen e tubave dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për të ofruar ngrohje në shtëpi, spitale, shkolla dhe biznese në të gjithë Ukrainën,” sipas një deklarate të USAID.
“Nga ndihma e re do të përfitojnë 7 milionë ukrainas në 19 rajone,” tha ajo.
“Ndihma do të përfshijë gjithashtu gjeneratorë dhe burime alternative të karburantit për spitalet, qendrat për personat e zhvendosur brenda vendit dhe strehimoret për qytetarët më të prekur.
“Ndihma do të përfshijë zona të Ukrainës që janë shkatërruar nga lufta, duke përfshirë rajonet e Chernihiv, Kharkiv, Kiev, Mykolaiv, Odesa, Zaporizhzhya dhe Zhytomyr”, thuhet në deklaratë.
Administrata Biden ka treguar se është një aleat i vendosur i Kievit pasi Moska filloi sulmin ndaj Ukrainës në fillim të këtij viti. Që nga fillimi i pushtimit rus në fund të shkurtit, SHBA-ja ka miratuar më shumë se 16 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë e Ukrainës.
Javën e kaluar Pentagoni njoftoi 1.1 miliardë dollarë ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën.