Botë

ShBA-ja dhe Kina zhvillojnë bisedime ushtarake të nivelit të lartë

By GAZETA SCANNER

September 10, 2024

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zhvilluar bisedime ushtarake të nivelit të lartë me komandantë për herë të parë, thanë autoritetet kineze, në kohën e përpjekjeve për stabilizimin e marrëdhënieve ushtarake dhe shmangien e keqkuptimeve, sidomos në pikat e nxehta rajonale, si Deti Jugor i Kinës.

Uashingtoni shpreson që të hapë kanale të reja të komunikimit të rregullt ushtarak me Pekinin, pasi lidhjet ranë në një pikë historikisht të ulët, kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan një balonë të dyshimtë kineze të spiunazhit vitin e kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.

Admiral Sam Paparo, komandant i Komandës së Indo-Paqësorit në ushtrinë amerikane, të martën zhvilloi një video-lidhje me homologun e tij kinez, Wu Yanan, komandant i Teatrit Jugor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Në zonat e përgjegjësisë të Komandës së Indo-Paqësorit të ushtrisë amerikane përfshihen Deti Jugor i Kinës dhe Ngushtica e Tajvanit, dy pika të nxehta për tensione rajonale, që gjithashtu janë çështje të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe ShBA – Kinë.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës tha se të dyja palët patën “shkëmbim të thellë të pikëpamjeve për çështje të shqetësimit të përbashkët”.

Paparo i bëri thirrje ushtrisë kineze që “ta rishqyrtojë përdorimin e taktikave të rrezikshme, shtrënguese dhe potencialisht eskaluese në Detin Jugor të Kinës dhe përtej tij”, thuhet në një deklaratë të Komandës së Indo-Paqësorit të ushtrisë amerikane, ku komunikimi mes dy oficerëve u përshkrua si “konstruktiv dhe i respektueshëm”.

Ai gjithashtu e theksoi rëndësinë e bisedimeve të vazhdueshme për ta qartësuar qëllimin dhe për ta zvogëluar rrezikun e keqperceptimit ose llogaritjes së gabuar.

Biseda virtuale mes komandantëve erdhi pas një takimi muajin e kaluar në Pekin mes këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, dhe këshilltarit kryesor ushtarak të presidentit kinez, Xi Jinping, në të cilin ishte arritur marrëveshje për bisedën e së martës./Nacionale/