Botë

SHBA do të largohet nga traktati ndërkombëtar për përgjimet ushtarake

Presidenti Donald Trump tha të enjten se po tërheq Shtetet e Bashkuara nga Traktati ndërkombëtar 18-vjeçar i Qiejve të Hapur që lejon fluturime survejimi mbi vendet e tjera, për shkak se Rusia po e shkel atë.

Shtetet e Bashkuara filluan të njoftojnë vendet e tjera nënshkruese duke i lajmëruar kështu gjashtë muaj përpara datës së largimit nga marrëveshja.

Presidenti vuri në dukje se kishte një mundësi, megjithatë, që një marrëveshje e re të mund të arrihej në një datë të ardhshme.

Ekziston një shans shumë i mirë që ne do të bëjmë një marrëveshje të re ose do të bëjmë diçka për ta vendosur atë marrëveshje përsëri,” tha ai. “Por, sa herë që ka një marrëveshje me të cilën një palë tjetër nuk pajtohet – ju e dini, ne kemi shumë prej atyre marrëveshjeve në të gjithë botën; kur është një marrëveshje dypalëshe të cilës nuk i përmbahen ,… kur kemi gjëra të tilla pra, ne gjithashtu tërhiqemi. Kjo është arsyeja pse, me traktatet e armëve, nëse shikoni traktatet e armëve, me siguri do të bëjmë një marrëveshje me Rusinë për një traktat armësh. Dhe Kina do të jetë, mbase, e përfshirë në të. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Kështu që mendoj se ajo që do të ndodhë është se ne do të tërhiqemi, dhe ata do të vijnë sërish dhe do të duan të bëjnë një marrëveshje. Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë kohët e fundit me Rusinë. Dhe ju mund ta shihni këtë tek nafta dhe ajo që po ndodh me naftën“, tha ai.

Pozicioni i Shteteve të Bashkuara

Traktati u ka mundësuar 35 vende të kryejnë fluturime përgjimi mbi territorin e njëri-tjetrit për të parë instalimet ushtarake, një përpjekje që synon paqeruajtjen ndërkombëtare.


Por, Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Moska ka shkelur traktatin duke ndaluar fluturimet mbi qytetin e Kaliningradit, në Detin Baltik dhe kufirin jugor të Rusisë pranë Gjeorgjisë; të dyja këto janë të lejuara sipas marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit në mars se Rusia ka “mashtruar për shumë vite“.

Rusia ka mohuar shkeljen e traktatit.

Tërheqja nga Traktati i Qiejve të Hapur është lëvizja e fundit e Presidentit Trump gjatë presidencës së tij 3-vjeçare për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga presidentët e mëparshëm që ai i konsideron të padrejta ndaj interesave amerikane.

Vitin e kaluar, Uashingtoni u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme me Rusinë, dhe më herët hoqi dorë nga marrëveshja ndërkombëtare e kontrollit të klimës në Paris, një traktat tregtie me vendet e Paqësorit dhe një marrëveshje me Iranin për të kufizuar zhvillimin e saj të armëve bërthamore.

Koncepti i traktatit të Qiejve të Hapur u avancua për herë të parë në dekadën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga Presidenti Dwight Eisenhower. Bashkimi Sovjetik e hodhi poshtë idenë në atë kohë, por Shtetet e Bashkuara përsëri kërkuan një pakt në vitin 1989 nën Presidentin George H.W. Bush. Më në fund, traktati u miratua nga 20 vendet e kërkuara, në janar 2002. /VOA/