Kompanitë amerikane ulën ritmin e punësimit gjatë muajit prill, por megjithatë në Shtetet e Bashkuara u hapën 175,000 vende të reja pune. Ky është një tregues se normat e larta të interesit mund të kenë filluar të ngadalësojnë tregun e punës në Shtetet e Bashkuara.
Raporti i qeverisë amerikane të premten tregon për një rënie të ndjeshme të hapjes së vendeve të reja të punës krahasuar me shifrat e larta të muajit mars, me 315,000 vende të reja pune. Ekonomistët kishin parashikuar se në muajin prill do të hapeshin 233,000 vende të reja pune.
Sidoqoftë, ulja e ritmit të punësimit së bashku me ngadalësimin e rritjes së pagave muajin e kaluar mund të shihet si shenjë pozitive nga Banka Qendrore, e cila i ka mbajtur normat e interesit në shkallën më të lartë gjatë 20 viteve të fundit, me synimin për të luftuar vazhdimin e inflacionit të lartë.
Paga për një orë punë u rrit 0.2% krahasuar me muajin mars, shkalla më e ulët e rritjes vjetore që nga qershori i vitit 2021.
Banka Qendrore ka lënë të kuptohet se nuk ka plane për të ulur normat e interesit derisa të formohet një besim më i plotë për ngadalësimin e inflacionit drejt objektivit të caktuar. Ulja normës së interesit do të çonte në zvogëlimin e kostos së huamarrjes për konsumatorët për të blerë shtëpi, makina etj. Po ashtu do të përfitonte edhe biznesi. Raporti për zbutjen e punësimit ndikoi pozitivisht edhe tek tregu i aksioneve të premten, me shpresën për një ulje të normave të interesit gjatë muajve të ardhshëm. Shkalla e papunësisë u rrit në 3.9%, muaji i 27 radhazi që nuk e ka kaluar masën 4%.
Ekonomia do të luajë një rol vendimtar në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Pavarësisht fuqisë së tregut të punës, amerikanët vazhdojnë të jenë të pakënaqur për shkak të çmimeve të larta. Shumë prej tyre fajësojnë politikat ekonomike të Presidentit Biden. /VOA/