Ekonomisti dhe anëtari i AAK-së, Haki Shatri, po ngre dyshime lidhur me faturat e muajit të fundit të energjisë elektrike.
Për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova ai u shpreh se mundësia për të manipuluar është shumë e madhe dhe se ndikimi i qeverisë në këtë sektor përmes emërimeve dhe përkrahjes së individëve të dyshimtë dhe me kallëzime penale është i drejtpërdrejtë.
“Ky është një lloj krimi i organizuar që herët apo vonë do të kthjellet dhe do të shohim se çka po ndodh në këtë sektor. Tendenca për ta shfajësuar një strukturë dhe për ta lënë barrën te një strukturë tjetër ose e kundërta, këtu nuk vlen shumë sepse ne e dimë që qeveria e bën emërimin edhe të pozitave kyçe në bordet e caktuara e edhe te strukturat tjera, kështu që këto bëhen të koordinuara dhe me ndërhyrje. Pa pëlqimin e qeverisë e ministrisë përkatëse nuk guxon të ndodhë asnjë veprim në këtë sferë dhe në mënyrë të pavarur”, deklaroi Shatri.
Tutje ai shtoi se shtrenjtimi i rrymës nuk ndikon vetëm te standardi jetësor i kategorive të shtresave të mesme dhe të ulëta, por kjo ndikon edhe në ecuritë ekonomike sepse një pjesë e bizneseve janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë.