Lajme

Shala: Viti i dytë me radhë që Qeveri Kurti po e atakon arsimin në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

September 04, 2023

Muzafer Shala nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se është viti i dytë me radhë në Kosovë që Qeveria Kurti po e atakon sistemin arsimor në vend.

Kjo për shkak se sipas Shalës, vitin e kaluar Qeveria e vonoi fillimin e procesit mësimor për shkak të siç tha ai, “kryeneqësisë” së qeverisë, teksa këtë vit problem tjetër është sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit.

“Është hera e dytë, viti i dytë me radhë që kjo Qeveri po e atakon arsimin në Kosovë. Vitin e kaluar e dimë problemet që i ka bë me sindikatën dhe me kryeneqësinë e tyre, do me thënë një muaj  ditë s’ka pasë mësim, pastaj orët nuk janë zëvendësuar. Dhe këtë vit nuk ka libra, nuk janë kushtet elementare për me fillu mësimi, në fakt ata kanë fillu mësimin por pa libër nuk mundet me fillu mësimi, dhe kjo po ndodh ku për herë të parë pas 15 viteve prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës po shkelet ligji, për shkak se librat për nxënësa janë të garantuar me ligj. Nuk e di me çfarë baze Ministria e arsimit po edhe Qeveria komplet do me thënë kanë vendos që mos me i shpërnda librat, ku dihet që obligimet ligjore duhet me i përfundu”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Teksa sipas Shalës, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë  me pjesën procedural të mbrojë siç tha ai, të ardhmen e fëmijëve sepse sipas tij, e ardhmja e tyre po sulmohet prej Qeverisë së Kosovës.

“Çdo gjë çka është në pjesën procedurale që ne si opozitë mundemi më e procedu tutje ne kemi me vazhdu më tutje, në mënyre që me mbrojtë të ardhmen e fëmijëve tanë, për shkak se e ardhmja e fëmijëve tanë po sulmohet direkt prej kësaj Qeverie. Është përmendë para do dite që nuk duhet mësimdhënësi me u bazu vetëm në literaturën bazë atje, mirëpo për mos me u bazu në literaturën bazë ti duhet  ti japësh paisje teknologjike mësimdhënësit, duhet mi mundësu fotokopje, paisje të printimit të gjitha mjetet përcjellëse për me mujtë me u mbajtë mësimi”, shtoi ai.

Ndryshe sot, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.